Kompania farmaceutike amerikane Pfizer konfirmon marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19. Radio Europa e Lirë njofton se Pfizer nuk ka dhënë pak detaje mbi marrëveshjen duke thënë se të dhënat mbi datën dhe sasinë e ngarkesave janë konfidenciale.

“Marrëveshjet për dozat dhe kohën e dërgesave arrihen në pajtueshmëri me qeveritë, ashtu sikurse dhe me Qeverinë e Kosovës dhe detajet janë konfidenciale”, është thënë në përgjigje për Radio Europën e Lirë.

Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë të premten, përmes një postimi në Twitter, se 1.2 milion dozat e vaksinve Pfizer do të dërgohen në Kosovë deri në fund të vitit.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ka thënë në një konferencë për media se nga 15 qershori do të nisë së zbatuari plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit.

Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Deri tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.

Aktualisht në vend  po vaksinohen personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA