Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për Top News sqaroi më me detaje sloganin “Tirana u hap”, kur tha se edhe ai vetë personalisht do të promovojë çdo biznes apo aktivitet që do të zhvillohet në kryeqytet.
Veliaj tha se se Tirana, sidomos fundjavave është një destinacion për shumë qytetarë, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të ndryshme të botës.
“Tirana u hap është një slogan ose një fushatë ku ne duam të promovojmë shumë bizneset lokale që kanë në fokus turizmin duke nisur nga hotelet, pishinat, resortet, nga restorantet, nga dyqanet. Tirana është një destinacion shopingu, kulinarie, ndoshta kryeqyteti ku hahet më mirë në Ballkan, është qyteti dhe kryeqyteti ku është rritur më shumë vlera e pronës. Do jem agjenti numër 1 i marketingut të Tiranës, pra do shkoj vet në pafundësi restorantesh, baresh, hotelesh, për t’i promovuar, për t’ua kujtuar njerëzve ku janë dhe për t’i kujtuar gjithashtu që përveç Tiranës në qendër që ka një pafundësi aktivitetesh nga muzetë, tek restorantet, tek Kalaja, te Pazari i Ri, sheshi “Skënderbej” këtu mbrapa, ekziston edhe kjo Tirana e madhe”, u shpreh Veliaj.
Më tej ai nënvizoi se është momenti i duhur që pas pandemisë së Covid 19, ku pati masa kufizuese, tashmë të ringrihemi akoma më shumë duke promovuar vendin tonë.
“Ringrihemi duke promovuar njeri-tjetrin, duke inkurajuar qytetarët të shpenzojnë, duke shfrytëzuar motin e mirë dhe faktin që Tirana i ka pasur minimale infeksionet dhe qartazi mund t’i kthehemi normalitetit. Për të krijuar një ide për çfarë po flas, vetëm industria e bareve e restoranteve në Tiranë punëson 10 mijë vetë”, përfundoi kryebashkiaku.
Top Channel