Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë reagimin e parë për sulmet e ardhura nga ish-presidenti Bujar Nishani.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Basha shkruan se Nishani ka bërë shpifje të ulëta dhe kjo vjen nga inati dhe mllefi personal i Nishanit.
‘Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit’- shkruan Basha.
Sipas Bashës këto sulme nxisin përçarje në Partinë Demokratike por ai nuk do ta lejojë këtë të ndodhë dhe se nga këto zgjedhje PD duhet të dalë më të fortë dhe më të bashkuar.
Postimi i plotë i Bashës:
E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj.
Top Channel