Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të mbërrijnë në Kosovë, për t’u takuar me kryeministrin, Albin Kurti, konfirmuan burimet diplomatike në Bruksel.
Mësohet se arsyeja e vizitës është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe përgatitja e takimit të shumëdiskutuar mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçic.
Gjatë vizitës së fundit në Bruksel në 18 maj, kryeministri kosovar pati pohuar se kjo përballje mund të ndodhë diku në mesin e muajit qershor. Vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell pati thënë se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.
Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe në Kosovë është kërkuar që të ketë një angazhim më të madh amerikan në dialog.
Bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së është shtuar për shumë çështje që kur frerët e administratës amerikane i mori Joe Biden. Me qeverinë e tij, BE-ja thotë se e ka “më të lehtë të bashkëpunojë”, ndërsa Ballkani Perëndimor është një rajon ku ky bashkëpunim shihet si i domosdoshëm.
Top Channel