Prokurorët në Napoli thanë sot se po hapin një hetim vrasjeje për vdekjen e një të reje që besohet se vrau veten pas publikimit të një videoje seksi në internet, dhe kanë urdhëruar zhvarrosjen e trupit të saj.
Tiziana Cantone u gjet e vdekur në shtëpi nga tezja e saj në Mugnano, pranë Napolit, më 13 shtator 2016. Vdekja e 31 vjeçares ishte klasifikuar si vetëvrasje por autopsia nuk ishte kryer.
Në prill 2015, Cantone i kishte dërguar një video seksi të vetes katër miqve të saj, duke përfshirë dhe ish-të dashurin, me anë të rrjetit WhatsApp. Por pamjet shpejt përfunduan online dhe u shpërndanë në rrjetet pornografike, duke u shikuar më shumë se 1 milionë herë në të gjithë botën.
Fjalët “Je duke filmuar? Bravo”, që thuheshin nga Cantone drejt personit që regjistronte, ishin burimi kryesor i turpërimit që zgjati rreth 18 muaj deri në vdekjen e saj, teksa imazhi i saj ishte printuar në bluza e kellefë celularësh në formë parodie.
Cantone dha dorëheqjen nga puna e saj në Toscana për t’i shpëtuar turpërimit dhe më pas fitoi një të drejtë për heqjen e videos nga faqet e ndryshme të internetit.
Por nëna e Cantone nuk kishte besuar kurrë se e bija ka vrarë veten. Mediat italiane raportonin sot se skena e vdekjes së Cantone kishte shumë paqartësi, të cilat detyruan hetuesit të heqin dorë nga teoria e vetëvrasjes.
Zhvarrosja e trupit të Cantone, e kërkuar nga prokurori i Napolit, Giovanni Corona, do të kryhet në qershor.
Top Channel