Një varr masiv me mbetjet e 215 fëmijëve indigjenë është zbuluar pranë një shkolle rezidenciale në krahinën British Columbia në Kanada.
Zbulimi i zymtë pranë shkollës së Kamloops u njoftua dje popullsia aborigjene vendase Tk’emlups te Secwépemc, pas ekzaminimit të vendit me radarë depërtues.
“Ne kishim njohuri në komunitetin tonë, që tani i kemi verifikuar. Me sa dimë, këta fëmijë të humbur janë vdekje të padokumentuara”, tha Rosanne Casimir, drejtuese e komunitetit Tk’emlúps.
Disa nga mbetjet janë të fëmijëve deri në 3-vjeçarë, ndërsa shkaqet dhe koha e vdekjes së tyre nuk është ende e ditur. “Për momentin kemi më shumë pyetje sesa përgjigje”, shtoi Casimir.
Shkolla rezidenciale indiane Kamloops ishte krijuar në 1890 nga Kisha Katolike Romane, dhe ishte mbyllur në vitin 1978.
Ajo ishte pjesë e një rrjeti shkollash të tilla në të gjithë Kanadanë me qëllim asimilimin e detyruar të fëmijëve indigjenë duke i marrë me forcë fëmijët nga familjet e tyre e duke i ndaluar të flisnin gjuhën e komunitetit apo të praktikonin zakonet e veta kulturore.
Në këto institucione ishin të kudondodhura abuzimet fizike, emocionale e seksuale, ashtu si dhe puna e detyruar.
Të paktën 150,000 fëmijë kanë frekuentuar shkolla të tilla në atë që një Komision Rikëshillimi në vitin 2015 përshkruante si “kulturë genocidi” që shënjestronte popujt indigjenë të Kanadasë.
Në dokumentet e dorëzuara nga komisioni, ish-nxënës të Kamloops përshkruanin kushtet e rënda dhe varfërinë e fëmijëve atje.
George Manuel, i cili kishte qenë në këtë shkollë në vitet 1920-të, tha: “Çdo nxënës indian vinte era uri”.
Në të tjera dokumente thuhej se nxënësit ishin të ekspozuar ndaj epidemive si lia, tuberkulozi e sëmundje të tjera, dhe shumë prej tyre vdisnin.
Në një raport të vitit 1935 mbi epidemitë në shkollë thuhej se “285 nxënës të shkollës flinin në pesë fjetore në kohë epidemie, ku nuk ishte e mundur të izoloje pacientët dhe kontaktet e tyre”.
Komunitetet indigjene besonin prej kohësh për ekzistencën e varreve masive të fëmijëve dhe provat për këtë deshën dekada që të mblidheshin.
Top Channel