Tragjedia e teleferikut/ Kryebashkiakia lexon mesazhin e Papës: Ky është 11 shtatori ynë, qyteti është i shkatërruar (fotot)

27/05/2021 15:52

Një kryebashkiake italiane ka përshkruar dje tragjedinë e teleferikut që vrau 14 njerëz të dielën si “11 Shtatori” i qytezës së saj.

“Ky është një 11 shtator për Stresa,” tha kryebashkiakja Marcella Severino teksa një prift vendas lexonte një mesazh ngushëllimi nga Papa Françesku, gjatë shërbesës së lutjes për viktimat dhe të mbijetuarin e vetëm, pesë-vjeçarin Eitan Biran nga Izraeli.

“Ati i Shenjtë mendon me emocion për kaq shumë jetë të thyera tragjikisht .. dhe dërgon lutjet e tij për Eitanin e vogël,” tha At Gianluca Villa për besimtarët e mbledhur, ku përfshiheshin zjarrfikës, infermierë e oficerë të karabinierëve, të cilët punuan në ngjarjen e malit Mottarone pranë alpeve ku ra kabina e pasagjerëve të teleferikut.

Kryebashkiakja vizitoi të voglin Eitan në spital, ku tezja e tij, e cila punon si doktoreshë në Itali, po përgatitet t’i japë lajmin e zymtë për prindërit, gjyshërit dhe vëllanë dy vjeçar, të vrarë të gjithë në aksident.

Eitan hapi dje për herë të parë sytë, njoftuan doktorët por gjendja e tij mbetet “delikate” pasi ka pësuar plagë në kafkë, në gjoks në bark si dhe disa fraktura në këmbët.

Trupat e nënës së tij Tal, babait Amit, vëllait Tom e dy gjyshërve ishin rreshtuar dje në aeroportin e Milanos, Malpensa para riatdhesimit në Izrael.

Ndërkohë policia italiane ka arrestuar tre përgjegjës të kompanisë operuese të teleferikut, që akuzohet se kishin çaktivizuar frenat e emergjencës, që mund të kishin ndaluar rrotullimin së prapthi të kabinës së tragjedisë kur kablli u këput. Ata e kishin bërë këtë për të evituar keqfunksionime dhe shtyrje të riparimit.

Agjencitë italiane të lajmeve emëronin të ndaluarit si Luigi Nerini – kreu i grupit Ferrovie del Mottarone – dhe dy përgjegjës, Gabriele Tadini e Enrico Perocchio.

Megjithse një grup mirëmbajtjeje kishte ardhur për të riparuar disa probleme me linjën e tragjedisë më 3 maj, problemet kishin mbetur aty, tha kreu lokal i Karabinierëve, Alberto Cicognani.

FOTO GALERI
1/24
“Ky është një 11 shtator për Stresa,” tha kryebashkiakja Marcella Severino

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA