Të rinjtë nga Shqipëria të etur për të bashkëpunuar me kolegët e tyre nga rajoni

26/05/2021 21:12

Një mësues, një student dhe një trajner i Y-PEER nga Shqipëria i shtjellojnë mundësitë e dhëna nga projektet e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO-s) për ta nxitur bashkëpunimin midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Në Shqipëri ka një interes gjithnjë në rritje në mesin e të rinjve për t’u përfshirë në një bashkëpunim me moshatarët e tyre nga rajoni. Një mësimdhënës nga Shqipëria, Eljon Shiba, e sheh këtë moment si mundësi të cilën akterët duhet ta përdorin pozitivisht për të bërë që ndryshimi të ndodhë.

Shiba, mësimdhënës në shkollën “Isa Boletini” në qytetin qendror të Vorës në Shqipëri, është njëri nga 24 mësimdhënësit që janë trajnuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) për dialogun ndërkulturor në Ballkanin Perëndimor.
Ai thotë se nxënësit e tij janë të etur për të bashkëpunuar me bashkëmoshatarët e tyre në rajon për ta nxitur bashkëpunimin midis tyre.
“Nëse nuk ka paqe, ne nuk mund të ecim përpara. Nxënësit e mi janë të etur për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer përvoja me bashkëmoshatarët e tyre në rajon, siç kemi bërë gjatë projektit me dy shkolla nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kemi marrë reagime të mira nga ta”, thotë Shiba.
Njëra nga nxënëset e tij, Izabela Lako, e cila ka marrë pjesë në projektin e mbështetur nga RYCO, e thekson rëndësinë e nismave rajonale midis të rinjve.

“Do të doja të vazhdoja të bashkëpunoja me kolegët e mi në të ardhmen, sepse mësova shumë për kulturën e tyre. Mësova se e kaluara i përket të kaluarës dhe se konfliktet e kaluara dhe politika nuk duhet t’i definojnë marrëdhëniet tona në të tashmen apo në të ardhmen”, potencon ajo.
Por, Klajdi Kaziu, i cili është trajner dhe mentor i Y-PEER në Shqipëri, thotë se ka pengesa për zgjerimin e bashkëpunimit midis të rinjve aktualisht.

“Barrierat më të prekshme për bashkëpunimin midis të rinjve në rajon janë ato ligjore, të cilat i përfshijnë kufijtë. Kemi probleme me vizat midis Kosovës dhe Bosnjës, por kemi edhe barriera ligjore të tjera që ma pamundësojnë mua si shqiptar që të lëviz lirshëm dhe të punoj diku tjetër në rajon”, potencon Kaziu.

Gjatë tërë projektit “Mbështetja e Lidershipit Kolektiv të Ballkanit Perëndimor për Pajtim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Paqes dhe zbatuar nga RYCO dhe tri Agjenci të Kombeve të Bashkuara: UNDP-ja, UNFPA-ja dhe UNICEF-i, u organizuan punëtori për të rinjtë me prejardhje të ndryshme etnike, synim i të cilave ishte që atyre t’u krijoheshin mundësi për t’i identifikuar prioritetet e përbashkëta për paqe dhe siguri dhe për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv me bashkëmoshatarët e tyre nga i tërë rajoni. Për më tepër, u dhanë grante të vogla për aktivitetet e të rinjve për ta avancuar një bashkëpunim rajonal të qëndrueshëm.
Që nga marsi i vitit 2020, partnerët e RYCO-s dhe Kombeve të Bashkuara kanë qenë të angazhuar edhe me 24 mësimdhënës nga rajoni dhe kanë zhvilluar mjete për forcimin e dialogut ndërkulturor në rajon.
Më në fund, projekti ofroi edhe punëtori për të rinjtë nga rajoni, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të grupeve dhe organizatave rinore themelore për të pasur qasje në resurset e RYCO-s dhe për t’i përdorur ato për t’u angazhuar në aktivitetet e ndërtimit të paqes në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë muajit maj, RYCO e lansoi fushatën njëmujore “Rini e frymëzuar nga Paqja”, e cila synon ta ngritë vetëdijen dhe t’i shtojë përpjekjet për ndërtim të paqes dhe pajtim midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor përmes ngjarjeve të ndryshme të kësaj fushate.
Në tërë vazhdën e saj, kjo fushatë përqendrohet në temat siç janë arsimi, pranimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për ta vënë në pah rëndësinë e investimit në rini, rëndësinë e historive të tyre dhe fuqinë e tyre për ndryshim.

Me punën e mësimdhënësve dhe studentëve në plan të parë, në këtë fushatë përdoren praktikat më të mira të punës në pedagogjitë transformuese të ndërtimit të paqes në tërë Ballkanin Perëndimor, përmes rrjeteve shkollore si mjet për promovimin e dialogut rajonal.
Në këtë fushatë ofrohen edhe aktivitete promovuese përmes intervistave me mësimdhënësit dhe studentët e përfshirë në aktivitetet e projektit. Për më tepër, shkollat në gjashtë qytete me strukturë etnike të përzier u ndriçuan si simbol i tejkalimit të dallimeve ekzistuese midis të rinjve.

Historik

Për fushatën
Fushata “Rinia e Frymëzuar nga Paqja” ndërmerret në kuadër të projektit të përbashkët të UN-RYCO-së “Mbështetja për Lidershipin Kolektiv të Ballkanit Perëndimor për Pajtim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Paqes. Zbatohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe tri Agjenci të Kombeve të Bashkuara: UNDP-ja, UNFPA-ja dhe UNICEF-i. Projekti synon t’i ndërtojë kapacitetet dhe tempin për RYCO-në, t’i fuqizojë të rinjtë që të kenë zë në vendimmarrjen publike që ndikon në jetën e tyre si dhe t’i forcojë ata që të jenë faktorë në ndërtimin dhe ruajtjen e mjediseve të sigurta dhe paqësore për vetveten dhe komunitetet e tyre.

Për RYCO-n
RYCO është mekanizëm institucional që funksionon në mënyrë të pavarur, i themeluar nga 6 shtete pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor (BP 6): Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me qëllim të promovimit të frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit midis të rinjve.
Marrëveshja për Themelimin e RYCO-s është nënshkruar nga gjashtë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të Procesit të Berlinit më 4 korrik të vitit 2016 në Paris.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA