Bashkia e Tiranës i përgjigjet Metës: Mos ysht militantët e LSI për të bllokuar ndërtimin e shtëpive për familjet e prekura nga tërmeti

26/05/2021 15:12

Pas mbështetjes publike të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në mbrojtje të banorëve të Zall Herrit, ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. Në një deklaratë për media Bashkia i bën apel Presidentit Meta që të mos pengojë futjen e banorëve të prekur nga tërmeti në Zall Herr në shtëpitë e tyre të reja.

Në deklaratë thuhet se aktet e fundit të Presidentit të Republikës minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019.

“Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Presidenti i Republikës vijon të nxisë, sipas një plani të përcaktuar, shërbëtorë të partisë së tij, për të penguar dhe prishur procesin e rindërtimit në Zall-Herr, duke vonuar me dashje, edhe më tej, futjen në shtëpitë e reja të banorëve të zonës, të cilët po presin me padurim të marrin banesat e tyre. Aktet e fundit të Presidentit të Republikës minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019. Yshtja e militantëve të LSI-së, që hiqen gjoja si banorë të zonës, për t’i siguruar Presidentit postimin dhe lajmet e radhës në portale, është e turpshme, kriminale dhe duhet të ndiqet nga organet hetimore”, thuhet në reagimin  e Bashkisë.

Më tej, Bashkia e Tiranës nënvizon se familjet e Zall Herrit, të prekura nga tërmeti, do të marrin në pronësi shtëpitë e reja, në një lagje të ndërtuar posaçërisht për ta, me infrastrukturë dhe shërbime model, në tokë që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, njësoj si banorët e Ndroqit apo Vaqarrit.

“Një President, i cili i ka pajisur vilat e tij me nga 9 banjo për macen, por s’ka marrë mundimin të ndërtojë qoftë edhe një shtëpi për një familje nga Zall-Herri, nuk ka asnjë të drejtë të bllokojë dhe pengojë punën për rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura nga tërmeti.  Shqiptarët e dhanë mesazhin e tyre për këtë President në 25 prill, ndaj s’është nevoja dhe nuk do të lejohet që ky të hakmerret ndaj tyre duke u penguar ndërtimin e shtëpive”, theksohet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA