Ky është momenti kur Sali Berisha flet si mik i Partisë Demokratike. Por, shumë shpejt ai do të mënjanonte studentët themelues për tu ngjitur vetë në krye. Berisha largoi njëri pas tjetrit themeluesit, intelektualët dhe miqtë që e ndihmuan të bëhej kreu i selisë blu.
Populizmi i Berishës dhe imazhi që impononte në publik si njeriu që përmbysi komunizmin, e ndihmuan të siguronte një mazhorancë të qartë në zgjedhjet e marsit të vitit 1992. Partia Demokratike siguroi plot 92 nga 140 Mandate në Parlament. Ramiz Alia u dorëhoq dhe Berisha do të zgjidhej president në 8 Prill të vitit 1992. Shumë shpejt, imazhi që ai kishte krijuar u venit. Njeriu që premtoi demokracinë, po qeveriste si autoritar.
Fryma e pushtetit u duk qartë në arrestimin e liderit të opozitës së atëhershmë Fatos Nano, një arrestim i lidhur me motive politike. Ky zhvillim shënonte nisjen e një trajektoreje aktesh që synonin shtypjen e opozitës dhe kontrollin e plotë mbi të gjithë pushtetet nga Berisha.
Këto tipare ai synoi t’i legalizojë përmes projekt-kushtetutës së vitit 1994 që me referendum u rrëzua. Drafti nuk bënte gjë veçse forconte pushtetin e presidentit Berisha nëse miratohej.
Arrestimi i anëtarëve të organizatës “Omonia” e portritizoi Berishën përballë amerikanëve si armik të minoritarëve. Në takimin që kishte në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 1995 me presidentin Bill Clinton, çështja e minoritetit grek ishte mes prioriteteve. Teksa Berisha ishte në SHBA, kreu i Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi liroi minoritarët. Berisha e shkarkoi menjëherë. Madje, rreftoi gjykatën me forcat e SHIk-ut. Vetë Brozi ka deklaruar se u largua nën kujdesin dhe mbrojtjen e qeverisë amerikane.
Represionit ndaj gjyqësorit në Shqipërinë e asaj kohe, i kishte paraprirë edhe dhunimi i medias. Në Janar të vitit 1994 ishin arrestuar gazetarët e
“Koha Jonë” Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka. Ata publikuan një shkrim për një urdhër të ministrit të mbrojtjes Safet Zhulali mbi lëvizjen e forcave në Veri të vendit. Kjo u konsiderua nxjerrje sekreti.
Top Channel