Gazetari i arrestuar bjellorus, Raman Protasevich, përmes një videoje tha se po bashkëpunon me autoritetet. “Mund të them se nuk kam probleme shëndetësore. Unë vazhdoj të bashkëpunoj me hetuesit dhe po merrem në pyetje në lidhje me organizimin protestave masive në qytetin e Minsk”, tha ai në videon e transmetuar nga televizioni shtetëror bjellorus.
Në video dukej se ai kishte disa shenja të zeza në ballë.
Autoritetet e Minskut hodhën poshtë “thashethemet” në mediat sociale se Protasevich ishte shtruar në spital dhe thanë se nuk kishin asnjë informacion në lidhje me ndonjë problem shëndetësor të gazetarit.
Pratasevich ka qenë administrator i kanalit NEXTA Live në Telegram, platformë që ka mbuluar protestat që kanë shpërthyer në Bjellorusi prej mbajtjes së zgjedhjeve.
Autoritetet bjelloruse kanë nisur hetimet ndaj Pratasevich dhe kolegut të tij Stsyapan Putsila, në muajin nëntor, nën dyshimet për organizim të çrregullimit masiv, prishjes së rendit shoqëror dhe nxitjes së urrejtjes.
Në tetor të vitit të kaluar, një gjykatë në Minsk e ka shpallur kanalin NEXTA dhe logon e tij si ekstremiste.
Si ndodhi arrestimi i tij?
Autoritetet bjelloruse kanë aktivizuar një aeroplan ushtarak për të përcjellë aeroplanin civil, i cili ka qenë në rrugë në Vilnius nga Athina më 23 maj, për atë që në fund doli të ketë qenë alarm i rremë për bombë. Kur aeroplani është ulur, policia ka ndaluar Raman Pratasevich, 26-vjeç, aktivist opozitar dhe gazetar, i cili përballet me akuza në Bjellorusi, për të cilat mund të mbetet 15 vjet në burg.
Reagimet ndërkombëtare
Vendet perëndimore kanë shprehur zemërim ndaj Bjellorusisë duke e quajtur “pirateri” devijimin dhe detyrimin e aeroplanit që të aterrojë në Bjellorusi.
Bashkimi Evropian në një samit urgjent të mbajtur të hënën ka rënë dakord për një sërë sanksionesh kundër Bjellorusisë si dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm.
BE-ja njoftoi gjithashtu se do të mbyllë hapësirën ajrore dhe aeroportet për fluturimet bjelloruse, njoftoi zëdhënësi i presidentit të Këshillit Evropian në Twitter.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 24 maj mbështeti thirrjet për një hetim të pavarur të incidentit.
Në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës (MPJ), thuhet se pa miratimin e presidentit rus, Vladimir Putin nuk do të ndodhte sulmi i Bjellorusisë ndaj aeroplanit.
“NATO, SHBA, BE duhet të marrin masa për të mbrojtur dhe ruajtur aleatët”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Çfarë po ndodhë në Bjellorusi?
Bjellorusia është tronditur nga protestat që kur Alyaksandr Lukashenka – në pushtet që nga viti 1994 – u shpall fituesi i zgjedhjeve presidenciale në gusht të vitit 2020. Perëndimi dhe opozita i konsiderojnë zgjedhjet e manipuluara.
Opozita thotë se Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila u arratis në Lituaninë fqinje pas zgjedhjeve për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë e saj, ishte fituesja e vërtetë e votave.
BE-ja ka vendosur tashmë tre raunde sanksionesh kundër Bjellorusisë dhe ishte duke përgatitur një raund të katërt./ REL
Top Channel