Analisti, Enton Abilekaj shprehet se pas shpalljes së Sali Berishës, ‘non grata’, është periudha e duhur për të freskuar klasën politike në vend.
“Atë fuqi që nuk gjeti shoqëria shqiptare, për të freskuar klasën politike dhe që po vjen nga jashtë, është moment shumë i rëndësishëm për ta shfrytëzuar”, shprehet analisti.
Vetë, ish-kryeministri Berisha, deklaroi se vendimin e DASH do ta apelojë në Francë. Por, disa ditë më vonë, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se nuk ia ka idenë për çfarë bëhet fjalë.
Sipas Abilekaj, qëndrimi i ambasadores përforcoi faktin se vendimi i Blinken nuk është vendimi personal i tij, por i DASH si institucion i rëndësishëm në SHBA.
Fjalimi i Kim, i shoi idetë se është çështje personale e Blinken. Blinken nuk ka folur si person si ministër i jashtëm. Ajo që tha Berisha, është një hije dyshimi që nuk i shkon SHBA-së. Nuk ekziston një gjë e tillë. Duhet bërë sqarimi me njerëzit, pavarësisht gjithçkaje që ndodh”.
Sipas analistit, vendimi, i cili erdhi pas zgjedhjeve, është në të mirën e opozitës, pasi nëse do të bëhej para 25 prillit, do ta dëmtonte Partinë Demokratike. “Kemi të bëjmë me një akt, që u bë pas zgjedhjeve dhe kjo më shumë e ndihmon opozitën, se Ramën”, thotë Abilekaj.
Ndërkohë, ai komenton dhe akuzat që presidenti, Ilir Meta bëri ndaj Antony Blinken, ku quajti ‘non grata-n’ e Berishës një akt të poshtër e të pabesë.
“Meta bëri një akuzë, që Blinken paska një aktivitet privat, duke shfrytëzuar postin e ministrit, në një vend si SHBA. Kjo nuk ndodh! Vetëm militantët e verbër e besojnë, asnjë tjetër. Presidenti i Republikës nuk mund të bëjë kështu deklaratash.
Nuk mund të flasë në këtë mënyrë nga një zyrë publike. Nuk mund të ketë një figurë publike në Shqipëri që shprehet kështu”.
Top Channel