Rindërtimi i objekteve arsimore të shkatërruara apo dëmtuara rëndë nga tërmeti nuk është ndalur për asnjë moment.
Shkolla “Ismet Nanushi”, në fshatin Sukth të Durrësit, e cila në vjeshtë do të jetë gati për 705 nxënës dhe 80 fëmijët e kopshtit, është një nga objektet arsimore të Fazës 2, që po rindërtohet nga themelet me fondet e Bashkimit Europian, EU4Schools dhe zbatohen nga UNDP Albania.
Në kantierin ku çdo gjë është ngritur nga themelet ishte sot Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.
“Ky është objekti i tretë që fillon me programin e rindërtimit në këtë njësi administrative,” – u shpreh Sako, ndërsa shtoi se dy objekte të tjera arsimore që janë funksionale në këtë njësi janë rindërtuar me fonde të qeverisë. “Ne kemi mbaruar dy objekte me fondet e qeverisë shqiptare që funksionojnë aktualisht. Ndërsa kjo dhe një shkollë tjetër janë të ndërtuara mbi programin e BE-së me donacionet e PNUD. Kështu që kemi katër objekte të reja vetëm në këtë njësi administrative për t’i dhënë një mundësi sa më të madhe nxënësve që të edukohen në kushte sa më optimale,” – u shpreh kryebashkiakja Sako.
Ndërsa Ministri i Rindërtimit Ahmetaj tha se “Ismet Nanushi” është një nga shkollat më të mëdha të Programit të Rindërtimit, e cila renditet përkrah më të mirave për kushtet optimale që do t’u ofrojë nxënësve.
Top Channel