Pengesat e udhëtimit drejt Britanisë/ Edhe pse të vaksinuar, shqiptarëve iu kërkohet testi dhe karantinimi

24/05/2021 19:48

Çfarë ndodh me udhëtaret nga Londra drejt Tiranës dhe kthim? Nga karantinimi, përvojën personale na e sjell korrespondenti ynë në Londër Arben Manaj, i cili sapo është kthyer në Londër nga Tirana.

Kur më pyesnin këto ditë në Tiranë se si është gjendja në Londër me pandeminë, pasi u shpjegoja miqve, të afërmve, madje edhe të panjohurve, se Britania është vaksinuar dhe është duke u hapur më shume se çdo vend tjetër evropian, më të vështirë kisha pjesën kur i sqaroja për habinë e tyre, se kur të kthehem, do duhet të karantinohem 10 ditë e do duhet të paguaj rreth 220 stërlina shtesë për person, për tampon në Tiranë dhe më pas Londër, në ditën e 2 dhe të 8 të karantinimit, përveç kostove të biletës së avionit, raporton Manaj.

Dhe kjo është ajo që ndodh kur kthehesh nga Tirana në Londër. Edhe pse ky është vendim i qeverisë britanike, që Shqipërinë paradoksalisht e ka vendosur në listën e vendeve me dritë të verdhe dhe jo jeshile, ku nuk ke nevojë për karantinim dhe tampone, edhe pse i ke bërë të dyja vaksinat si në rastin tim, ajo që ende është e pashpjegueshme është se përse Shqipëria zyrtare, ende nuk di të promovojë situatën epidemiologjike mjaft pozitive në Shqipëri, siç bëjnë vende të tjera të Ballkanit apo Mesdheut, si Greqia, Kroacia, Qipro e Portugalia, me një situate jo më të mirë se Shqipëria.

Edhe pse Britania është vendi me vaksinimin më të madh në Evropë, me 60 milionë vaksina të bëra, dhe Shqipëria me një situate epidemiologjike mjaft pozitive, ku regjistrohen 1 deri ne 3 viktima në ditë, prapë për shqiptarët e Britanisë, udhëtimi në Tirane dhe sërish në Londër është një dhimbje koke, me një kosto mjaft të rëndë për xhepat e atyre që me të drejtë i dekurajon të udhëtojnë drejt atdheut, i cili ka nevojë edhe për stërlinat e tyre, për një turizëm që promovohet se do jetë plot perëndimorë këtë verë, edhe pse shumica e shqiptarëve në Rinas regjistrohen si britanik.

Nëse autoritetet shqiptare, nga kryeministri e te ministri i Turizmit, nuk dinë sesi të promovojnë në mediat e fuqishme britanike situatën me pandeminë në Shqipëri, dhe nuk kane akses në to, gjë që do të duhet t’ua lehtësojnë zyrtarët dhe diplomatët shqiptar, qe paguhen me taksat e shqiptarëve, ua ofroj unë t’i ndihmoj, aq sa mundem për një akses të tillë, veç të kenë dëshirë, shton gazetari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA