Kolumbi, vazhdojnë në ditën e 25-të protestat kundër qeverisë

24/05/2021 09:42

Mijëra njerëz në Kolumbi janë mbledhur edhe njëherë në sheshet e qyteteve të ndryshme të vendit në protesta masive që vazhdojnë kundër qeverisë që nga 28 prilli.

Protestat janë mbajtur në qytetet Medellin, Cali, Bucaramanga, Valle del Cauca dhe kryesisht në kryeqytetin Bogota.

Teksa kanë kaluar paqësore shumica e protestave ku morën pjesë përfaqësues të sindikatave dhe njerëz nga shtresa të ndryshme, bëhet e ditur se janë shënuar përleshje mes policisë dhe grupeve protestuese që mbyllën trafikun në disa rrugë në Medellin dhe Cali.

– Në Medellin u plagosën 9 persona

Protestat në Medellin kaluan të qeta, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome pasi disa grupe me fytyrat e mbuluara tentuan në mbrëmje të grabisin një qendër tregtare.

Në ngjarjet e shënuara u plagosën 9 persona, përfshirë 3 policë si dhe u arrestuan shumë persona të tjerë.

– Në Cali një i vdekur dhe 6 të plagosur

Në qytetin Cali në të cilin janë përjetuar ngjarje të dhunshme që nga fillimi i protestave e deri më tani theksohet se ka pasur konflikte mes policisë dhe protestuesve që kanë mbyllur rrugën kryesore.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës ndaj grupeve të cilët kanë hedhur gurë dhe molotov, ku 1 protestues ka humbur jetën dhe 6 të tjerë u plagosën.

– Në 25 ditë janë plagosur 16 gazetarë

Përfaqësia e projektit Voces del Sur (VDS) për Kolumbinë e cila raporton shkeljet kundër shtypit në vendet e Amerikës Latine, ka njoftuar se 16 gazetarë janë plagosur deri më tani si pasojë e ndërhyrjes së policisë gjatë protestave.

Duke dënuar sulmet, përfaqësia tha se “Gazetarët edhe pse kanë prezantuar veten e tyre, janë përballur me dhunën në nivel të pashembullt”.

Sipas të dhënave të OJQ-ve, bëhet e ditur se deri më tani 42 protestues kanë humbur jetën në protestat kundër reformës tatimore që filluan me grevë të përgjithshme, ndërkohë që 2.905 të tjerë janë përballur me dhunën policore dhe 21 persona me dhunën seksuale. Teksa janë arrestuar 1.264 persona theksohet se janë plagosur 1.049 policë dhe 1.040 civilë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA