Krerët e Unionit CDU/CSU në Gjermani po këmbëngulin për masa të rrepta kundër azilkërkuesve antisemitistë, të cilat të shkojnë deri në dëbimin nga vendi.
Udhëheqësi i CSU-së, Markus Söder u shpreh se nevojiten veprime të ashpra kundër armiqësisë së shfaqur ndaj hebrenjve në vend. “Në rastin e antisemitizmit, ne duhet të ndjekim vazhdimisht ata që kanë kryer vepra penale dhe duhet të përdorim të gjithë fuqinë e ligjit për dënimin e tyre“, tha kryeministri bavarez për gazetat e grupit mediatik Funke.
“Antisemitizmi i përditshëm” është gjithashtu një shkelje e rëndë. Söder e konsideron të domosdoshme edhe një “ide të ri-integrimit”. “Në fund të fundit duhet të jetë e qartë: Qoftë të krishterë, myslimanë, hebrenj, budistë, hinduistë apo ateistë, të gjithë duhet të ndjehen si qytetarë gjermanë dhe të jetojnë filozofinë e një shoqërie të lirë, demokratike“, ishte komenti i tij.
Shumë kritika të Soder u drejtuan nga administrate e qytetit të Hagen, ku javën e kaluar u ul flamuri i Izraelit, i cili ishte ngritur të njëjtën ditë. Lëvizja u arsyetua me dëshirën për ç’tensionuar situatën. Kreu i deputetëve të partisë CSU në Bavari, Alexander Dobrindt bëri thirrje që azilkërkuesit të cilët kanë marrë pjesë në demonstrata dhe kanë shprehur urrejtje kundër Izraelit të dëbohen.
“Kushdo që i mohon Izraelit të drejtën për të ekzistuar, lëshon parulla antisemitizmi, përhap urrejtje kundër hebrenjve dhe bën thirrje për dhunë, ka humbur të drejtat mbrojtëse dhe duhet të largohet nga vendi ynë“, tha Dobrindt për gazetën, “Bild am Sonntag”.
Top Channel