“E humbi mundësinë”/ Meta refuzon të marrë pjesë në seancën e Komisionit Hetimor: Nuk bëhem palë me askënd në shkelje të Kushtetutës

24/05/2021 12:13

Presidenti Ilir Meta ka vendosur që të mos marrë pjesë në seancën e radhës të Komisionit të Posacëm Hetimor për shkarkimin e tij.

Në përgjigjen e Presidencës, thuhet se Meta nuk do të bëhet palë me askënd në shkelje të kushtetutës dhe nuk mund të diskutojë një strukturë që nuk ka legjitimitet. Komisioni Hetimor, i drejtuar nga Alket Hyseni kërkonte praninë Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në seancën dëgjimore në datën 24.5.2021, ora 12:00.

“Ky njoftim, ashtu si gjithë praktika e dërguar deri më tani në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës, është një përpjekje e radhës e Kuvendit, për të bërë të duket sikur po ndiqet një proces i ligjshëm, ndërkohë që siç dhe Kuvendi është në dijeni, ky proces ka nisur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe ligjin.

Para së gjithash, ju bëjmë sërish me dije se, Kuvendi i Shqipërisë e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohuar këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.

Me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim, Kuvendi e humbi mundësinë e dhënë nga Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Ndër të tjera, thuhet se Kuvendi i Shqipërisë, vijon me përgatitjen e dosjeve fiktive, përmes njoftimeve të parapërgatitura, me qëllim që të duket sikur po zhvillon një proces që respekton procedurën dhe përsërit reagimin e Metës për këtë çështje.

“Presidenti i Republikës ka bërë të qartë qëndrimin e tij se, nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. 

Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit. Presidenti i Republikës, ripërsërit edhe një herë thirrjen për reflektim në kohë nga ana e deputetëve të këtij Kuvendi, që veprimtarinë e tyre në kushtet e afrimit dita-ditës të përfundimit  të mandatit, duhet ta ushtrojë vetëm në përputhje me rendin e brendshëm juridik”, përfundon përgjigja ndaj Komisionit Hetimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA