Të paktën 100 alpinistë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës janë infektuar me koronavirus në Malin Everest, tha një guidë, pavarësisht se zyrtarët e Nepalit kanë mohuar se në malin më të lartë të Tokë, janë regjistruar raste me COVID-19.
Lukas Furtenbach nga Austria tha më 22 maj se një prej gjashtë guidave të tij të huaj dhe gjashtë guida nepalezë kanë dalë pozitivë me koronavirus.
“Për të gjitha rastet e konfirmuara për të cilat jemi në dijeni – që janë konfirmuar nga pilotët, doktorët dhe liderët e ekspeditave – kanë teste pozitive dhe ne mund t’i konfirmojmë këto raste”, tha Furtenbach për agjencinë AP.
“Janë të paktën 100 persona pozitivë me COVID-19, që janë në kampin bazë (të Malit Everest) dhe numri real mund të jetë 150 apo 200”, tha ai.
Ai po ashtu tha se alpinistët në kampin bazë filluan që të shfaqin simptoma të COVID-19.
Zyrtarët nepalezë kanë mohuar se ka ndonjë rast aktiv me koronavirus në mesin e alpinistëve dhe stafit mbështetës në të gjitha kampet e Everestit, që gjenden në pjesën e Nepalit. Vitin e kaluar, Mali Everest u mbyll për alpinistët për shkak të paraqitjes së rasteve me koronavirus.
Në prillin e kaluar, një alpinist nga Norvegjia u bë personi i parë që doli pozitiv me koronavirus në Everest. Ai më pas ishte dërguar me helikopter në Katmandu për trajtim mjekësor.
Deri më tani, Nepali ka regjistruar mbi 497 mijë raste dhe mbi 6 mijë viktima nga koronavirusi. Ky shtet ka 28 milionë banorë./REL/
Top Channel