Trafikim lëndësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje/ 3 të arrestuar të Poliçan, nën hetim kryeplaku i fshatit

22/05/2021 12:36
Foto ilustruese

Tre persona janë arrestuar ndërkohë që kryeplaku është vënë nën hetim, në Poliçan, pasi policia identifikoi bimë kanabisi, në pronat e tre shtetasve.

47-vjeçari me iniciale S.H. dhe 38-vjeçari me iniciale Y.H., në toka që zotërojnë në fshatin Barçë kishin mbjellë fidanë kanabisi.

Po ashtu, policia njofton se në pronën e 40-vjeçarit me iniciale Sh.B., në fshatin Tomorr u gjetën bimë narkotike, ndërsa në banesë iu gjet një pushkë, që mbante pa leje.

Ndërkohë, kryeplaku i fshatit Barçë do të hetohet për shpërdorim detyre.
Procedurat, për të dyja rastet, po vijojnë nga prokuroria e Beratit.

Njoftimi i policisë:
Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Shërbimet e Policisë Poliçan dhe Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatrat Barçë, Skrapar dhe Tomor, kubikë ku ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan dhe në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit: S. H., 47 vjeç, dhe Y. H., 38 vjeç, banues në fshatin Braçë, pasi në tokat në pronësi të tyre u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa;

Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Tomorr, Poliçan, pasi në një miniserë në ambientet e banesës së tij u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri pushkë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe kryeplaku i fshatit Barçë, shtetasi A. R., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA