Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in ripërtërinë të premten përpjekjet për të angazhuar Korenë e Veriut në dialog mbi programin e saj të armëve bërthamore. Zoti Biden tha se ai do ta takonte udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un nëse krijoheshin kushtet e përshtatshme.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, zoti Biden dhe zoti Moon thanë se qëllimi i tyre është çnuklearizimi i plotë i gadishullit Korean. Biden tha se ai nuk ka ” asnjë iluzion” në lidhje me vështirësinë për ta bërë Korenë e Veriut të heqë dorë nga arsenalet e saj bërthamore. “Ne të dy jemi thellësisht të shqetësuar për situatën,” tha Biden.
Koreja e Veriut deri tani ka kundërshtuar kërkesat e SHBA-së për diplomaci që kur zoti Biden mori detyrën pas ish-presidentit Donald Trump, i cili mbajti tre takime të nivelit të lartë me zotin Kim i cili gjithsesi refuzoi të hiqte dorë nga armët bërthamore, por vendosi një ngrirje për testimin e tyre. Zoti Biden tha se ai do të ishte i gatshëm të takohej me zotin Kim nën kushtet e përshtatshme, në varësi të faktit nëse Kim pranonte të diskutonte programin e tij bërthamor dhe që këshilltarët e tij të takoheshin së pari me homologët e tyre të Koresë së Veriut për të krijuar bazat për bisedimet midis udhëheqësve.
Presidenti Biden tha se që ai të takohej me Kim do të duhej të kishte një angazhim nga udhëheqësi i Koresë së Veriut “që do të ketë diskutime në lidhje me arsenalin bërthamor.” “Unë nuk do të veproja ashtu siç është bërë në të kaluarën e afërt; nuk do t’i jepja gjithçka që kërkon – njohjen ndërkombëtare, ta lejoja atë të përpiqej të dukej më serioz për diçka që ai nuk është aspak serioz”, tha ai.
Komentet e zotit Biden duket se pasqyrojnë një ndryshim në të menduarit e tij lidhur me një takim të mundshëm. Shtëpia e Bardhë kishte thënë në mars se zoti Biden nuk kishte synim të takohej me zotin Kim. Në ditën e tyre të bisedimeve, homologët Biden dhe Moon riafirmuan aleancën e fortë midis dy vendeve pas tensioneve të krijuara nga zoti Trump, i cili e kishte quajtur zotin Moon të dobët dhe kishte kërcënuar të tërhiqte trupat amerikane nga Koreja e Jugut.
Zoti Moon ishte udhëheqësi i dytë i huaj – pas kryeministrit të Japonisë – që vizitonte Shtëpinë e Bardhë që kur zoti Biden mori detyrën në janar dhe presidenti Biden tha bisedat e tyre ishin mes “miqsh të vjetër”. Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu për Kinën dhe Tajvanin. Tajvani është ankuar për aktivitete të përsëritura ushtarake nga Pekini në muajt e fundit, ndërsa forcat ajrore të Kinës bëjnë përpjekje të shpeshta në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.
“Ne ndamë mendimin se paqja dhe stabiliteti në ngushticën e Tajvanit janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe ramë dakord të punojmë së bashku për këtë çështje duke mbajtur parasysh karakteristikat e veçanta në marrëdhëniet midis Kinës dhe Tajvanit,” tha zoti Moon. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut do të kombinonin aftësitë e tyre për të furnizuar me vaksina për COVID-19 rajonin e Indo-Paqësorit. Ata diskutuan gjithashtu se si të trajtojnë ndryshimet e klimës. Por Koreja e Veriut dominoi konferencën e tyre të përbashkët për shtyp.
Zoti Biden tha që të dy vendet do të kenë një “qasje të përbashkët” ndaj Koresë së Veriut dhe se ai dhe zoti Moon ndanë një gatishmëri për t’u angazhuar në diplomaci me Veriun “për të marrë hapa pragmatikë për të ulur tensionet.” Presidenti amerikan tha se një zyrtar i Departamentit të Shtetit, Sung Kim, do të shërbente si i dërguar special i SHBA-së për Korenë e Veriut. Sung Kim është një diplomat veteran koreano-amerikan i cili ka shërbyer si ambasador në Filipine dhe Indonezi dhe së fundmi në si diplomat i lartë i SHBA-së për Azinë Lindore.
Top Channel