Raporti i OBSH-së: Jetëgjatësia ra gjatë pandemisë

22/05/2021 06:42

Sipas përfundimeve të Raportit të Statistikave Botërore të Shëndetit, numri i vërtetë i vdekjeve globale për shkak të pandemisë COVID-19 gjatë vitit të kaluar, është ndoshta dy deri tre herë më i lartë se sa ai i dokumentuar.

Bazuar në numrin e lartë të vdekjeve që nga fillimi i pandemisë, zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë besojnë se numri i vërtetë është shumë më i lartë se 3.4 milionë vdekje që janë dokumentuar zyrtarisht deri më 31 dhjetor 2020. Analisti i të dhënave të OBSH-së William Msemburi tha se organizata po punon me agjenci të tjera të OKB-së për të llogaritur pasojat direkte dhe indirekte të COVID-19.

“Pasojat direkte përfshijnë vdekjet e raportuara nga COVID-i, si dhe ato vdekje që nuk u llogaritën sepse njerëzit vdiqën pa bërë testime,” tha ai. “Ajo që dua të them me pasojat indirekte, janë ato vdekjet që mund t’u atribuohen kushteve të vështira nën të cilat jetojnë shumë njerëz në botë për shkak të pandemisë. Këto kushte kanë bërë që pacientët të shmangin kujdesin shëndetësor, i cili ka rritur si rezultat numrin e vdekjeve.”

Zoti Msemburi tha se pandemia ka sjellë një dëm të rëndë socio-ekonomik, duke rezultuar në rritje të sëmundjeve si depresioni, por trajtimi i pacientëve me COVID ka marrë përparësi mbi ata që vuajnë nga sëmundje të tjera. Raporti zbulon se pandemia ka ndërprerë shërbimet shëndetësore për shumë sëmundje të rrezikshme dhe paraqet kërcënime të mëdha për shëndetin përtej rreziqeve të COVID-19.

Ndihmës drejtorja e përgjithshëm e OBSH-së për ndarjen e të dhënave dhe analizave, Samira Asma, tha se para COVID-19, jetëgjatësia po rritej. “Ne bëmë hapa të mëdhenj në jetëgjatësinë globale, e cila po rritej me përfitime gjithashtu edhe për jetëgjatësinë e shëndetshme. Megjithatë, pandemia ka pasur një ndikim të dëmshëm në këto tregues. Dhe po mësojmë nga disa vende se jetëgjatësia ka rënë tashmë me dy deri në tre vjet”, tha zonja Asma.

Raporti thotë se jetëgjatësia globale në lindje u rrit nga 66.8 vjet në vitin 2000 në 73.3 vjet në 2019-ën, me jetëgjatësinë e shëndetshme që u rrit para pandemisë nga 58.3 në 63.67 vjet. Rritja më e madhe u bë në vendet me të ardhura të ulëta. Raporti vëren se përdorimi global i duhanit është ulur me 33 përqind që nga viti 2000, por mbipesha tek të rriturit po shtohet, duke prekur një të katërtën e popullsive në vendet e pasura. Ai thotë se sëmundjet jo-ngjitëse përbëjnë shtatë nga 10 shkaqet kryesore të vdekjeve globale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA