Turqia e dënoi ashpër sulmin e forcave izraelite ndaj besimtarëve palestinezë në xhaminë Al Aksa, i cili erdhi pas vendosjes së armëpushimit me Hamasin, që i dha fund luftimeve të përgjakshme të këtyre ditëve në Gaza.
“I dënojmë më forcë sulmet izraelitë, pas lutjeve të së premtes në Xhaminë Al Aksa, të cilat erdhën pavarësisht pushimzjarrit, të cilin shteti hebre nuk e respektoi në këtë rast, duke treguar kështu fytyrën e tij të vërtetë“, thuhet në një deklarate të drejtorit të komunikimeve pranë presidencës turke, Fahrettin Altun.
Altun kujtoi sesi Izraeli ka vepruar në të njëjtën mënyrë duke sulmuar civilët edhe pas shpalljes së armëpushimeve në vitet 2008, 2009, 2012, 2014 e 2018, ç’ka rezultoi sipas tij me vdekjen e njerëzve të pafajshëm. Ai kritikoi Izraelin duke folur për spastrim etnik dhe politike ekspansioniste sistematike, ndërsa kujtoi se Turqia do t’i qëndrojë në krah siç tha vëllezërve palestineze dhe se po punën drejt një zgjidhjeje përfundimtare për problemin e tokave të pushtuara palestineze.
“Ne po ndjekim me kujdes çdo lëvizjeje dhe do të shohim sesa do të mbajë armëpushimi e nga do të vijnë shkeljet”, vazhdoi ai.
Që prej nisjes së luftimeve në Rripin e Gazës në 10 maj, u vranë të paktën 230 palestineze, përfshirë 65 fëmijë e 39 gra, ndërsa në Izrael humbën jetën 10 persona.
Top Channel