SHBA-Kore e Jugut, bashkëpunim në sektorin e gjysmë-përçuesve

21/05/2021 21:39

Koreja e Jugut ka kërkuar subvencione e mbështetje nga Shtetet e Bashkuara si për shembull lehtësim të tarifave dhe projekte në infrastrukturë për të mundësuar investimet koreano-jugore, përfshirë nga firma si Samsung që prodhon çipe elektronike, njoftoi zyra e presidentit koreano-jugor të premten.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili ndodhet në Uashington për një takim me Presidentin Biden, tha në një diskutim me Sekretaren amerikane të Tregtisë Gina Raimondo, homologun e saj koreano-jugor si dhe shefat ekzekutivë të kompanive teknologjike Qualcomm, Samsung dhe të tjera, se dy vendet do të përfitonin nga forcimi i bashkëpunimit në rrjetin e furnizimeve teknologjike.

Presidenti Biden ka shprehur mbështetje për të fuqizuar sektorin e prodhimit të çipeve elektronike në Shtetet e Bashkuara në një kohë që në mbarë globin ka pasur mungesa në furnizimet me këto elemente të domosdoshme për industrinë e prodhimit të automjeteve dhe sektorë të tjerë.

Presidenti Biden u takua me drejtues të kompanive të mëdha në prill, ndër to edhe me drejtues të Samsungut dhe ka njoftuar më parë plane për të investuar 50 miliardë dollarë në sektorin e prodhimit dhe kërkim-zhvillimit për gjysmë-përçuesit.

Kompania Samsung ka në plan të investojë 17 miliardë dollarë për të ndërtuar një fabrikë të re për prodhimin e çipeve në Shtetet e Bashkuara, njoftoi përmes një deklarate zyra e presidentit të Koresë së Jugut.

Në shkurt, dokumente të paraqitura pranë autoriteteve shtetërore të Teksasit tregonin se kjo kompani po analizon mundësinë e hapjes së fabrikës në Austin të këtij shteti, ku do të krijonte 1800 vende pune.

Nuk ka pasur njoftime të reja lidhur me këto plane.

Departamenti amerikan i Tregtisë dhe ministria koreane e Industrisë pohuan të premten se bashkëpunimi në sektorin e gjysmë-përçuesve kërkon hartimin e politikave stimuluese, duke hapur projekte të përbashkëta kërkimore në veçanti për përcaktimin e standardeve dhe trajnimin e krahut të punës, njoftoi zyra e presidentit koreano-jugor.

Ndërkaq, kompania amerikane e industrisë kimike DuPont njoftoi planet për të krijuar një qendër kërkimore në Korenë e Jugut për të zhvilluar teknologji të reja për prodhimin e gjeneratës së ardhshme të gjysmë-përçuesve, si ato që u rezistojnë rrezeve ultravjollcë për procese printimi industrial, njoftoi Koreja e Jugut./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA