Trupat amerikane dhe shqiptare, pjesë e stërvitjes “Defender Europe 2021” kanë ekspozuar pajisjet dhe forcën para qytetarëve të Vlorës në “Lungomare”.
Aktiviteti u ndoq edhe nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, por edhe përfaqësues të vendeve të tjera aleate të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes Peleshi në përgjigje të interesimit të medias së pranishme sqaroi se “kjo ditë e hapur kishte për mision jo vetëm të sillte pranë publikut Stërvitjen “Defender ‘21”, por edhe të sillte pranë jetës civile jetën ushtarake, sepse në fund të fundit misioni i FA është të sigurojë paqe, stabilitet për qytetarët, të sigurojë gjithashtu mbrojtjen civile”.
“Sot i kemi parë pajisjet, kemi parë forcat e ndryshme, kontingjentin tonë, efektivët tanë që po punojnë përkrah forcave amerikane, po shkëmbejnë eksperiencë po marrin eksperiencë dhe për këtë jemi shumë të lumtur dhe shumë krenarë. Përshëndes gjithashtu qytetarët e Vlorës, të gjithë ish – ushtarakët që na kanë shoqëruar, shoqatën e tyre. Nuk është një ditë për ambasadorët apo personalitetet, por është një ditë për qytetarët, të cilët kanë mundësi të shohin nga afër se kush është ushtria shqiptare, se çfarë synon stërvitja Defender ‘21, cilat janë kapacitetet tona dhe në fund fare të marrë një shije të mirë dhe të jetë krenar që është shqiptar”, u shpreh ministri Peleshi.
Nga ana e saj, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten demokracia, mbrojtja dhe biznesi.
“Tani jemi duke hyrë në një periudhë domethënëse të gjithë këtyre zhvillimeve. Defender 21 është në fakt stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore. Do të thotë që me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar edhe këtu sot, po tregojnë një rritje të aftësive tona për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim.
Teksa përmendi bazat që ajo bashkë me ministrin Peleshi kanë vizituar në kuadër të kësaj stërvitjeje, diplomatja Yuri Kim theksoi se “kur aleatët e NATO-s bashkëpunojnë me njëri – tjetrin ata janë dominues qoftë në ajër, në tokë apo në det. Sëbashku më këtë zhvillim historik në Mbrojtje kemi parë që ka zhvillime të mëdha të biznesit në një front tjetër, që do të thotë zhvillime të mëdha nga ana e biznesit amerikan në fushën e energjisë”.
Top Channel