OBSH: Numri i viktimave nga covid mund të jetë dy ose tre herë më i lartë!

21/05/2021 13:30

Numri i viktimave nga koronavirusi mund të jetë tre herë më i lartë se ai që është raportuar zyrtarisht, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Deklarata u bë nga ndihmës drejtorja e Përgjithshme e OBSH-së, Samira Asma.

OBSH-ja vlerëson se deri në muajin maj 2021 rreth 3 deri në 4 milionë njerëz kanë vdekur si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

“Në të vërtetë ky numër mund të jetë dy ose tre herë më i lartë. Kështu që unë mendoj se mund të jenë rreth 6 deri në 8 milionë vdekje”, tha Asma. Ndërsa analisti i të dhënave në OBSH, William Msemburi dha detaje të kësaj llogaritjeje.

“Ky vlerësim përfshin vdekjet e pa raportuara si dhe vdekjet për shkak të mungesës së kapacitetit spitalor, masave të izolimit që kanë kufizuar lëvizjen dhe faktorëve të tjerë”, tha ai.

Koronavirusi është zbuluar për herë të parë në qytetin Wuhan të Kinës, në fund të vitit 2019. Por qeveria e Kinës i ka hedhur poshtë akuzat për daljen e virusit nga laboratori. Një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë ka udhëtuar në Wuhan në janar, për të hetuar origjinën e virusit. Ekipi e ka hedhur poshtë teorinë që virusi të ketë dalë nga laboratori, por hulumtimi i tij është mbështetur në mostra dhe prova të siguruara nga zyrtarët kinezë./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA