Një drejtues i një treni në Japoni, përballet me ndëshkim, pasi e la kabinën e drejtimit të një treni plumb, të shpejtësisë së lartë, për disa minuta, për të shkuar në tualet.
Ai i kërkoi një fatorinoje, që nuk kishte licencë drejtimi, të menaxhonte trenin që udhëtonte me shpejtësi 150 km në orë.
Treni mbante 160 pasagjerë në atë kohë. Incidenti fatmirësisht nuk pati ndonjë pasojë. Por kompania e hekurudhave e ka raportuar rastin tek autoritetet dhe ka kërkuar ndjesë. Kompania tha se incidenti ndodhi mëngjesin e të dielës ndërsa treni po udhëtonte në prefekturën qendrore Shizuoka.
Drejtuesi 36 vjecar i trenit, emri i të cilit nuk është bërë publik, kishte patur dhimbje stomaku dhe ishte detyruar të shkonte me urgjencë në tualet. Ai kishte thirrur në kabinën e drejtuesit një faturino dhe i kishte kërkuar atij të menaxhonte kontrollin e më pas ishte larguar nga vendi për rreth tre minuta. Rregullat e kompanisë nënvizojnë se nëse drejtuesi i trenit nuk ndjehet mirë, duhet të kontaktojë me qendrën e komandës.
Tani, si drejtuesi ashtu edhe faturinoja, përballen me sanksione të mundshme disiplinore. Hekurudhat në Japoni kanë rregulla strikte dhe standarde të larta sigurie. Aksidentet hekurudhore atje janë të rralla. Aksidenti më i fundit ka ndodhur në 2005, kur një tren doli nga shinat në qytetin perëndimor Amagasaki duke i marrë jetën 107 personave.
Kompania që zotëron edhe trenat e shpejtësisë së lartë në Japoni, Shinansen, nuk ka regjistruar asnjëherë një aksident në historinë e saj 57 vjecare.
Top Channel