Zgjerimi i NATO-s: Një histori përplasjesh mes Rusisë dhe Perëndimit

20/05/2021 08:10
Udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev (i dyti nga e majta) shtrëngon duart me nënpresidentin, George Bush, ndërsa presidenti Ronald Reagan qëndron pas tyre para bisedimeve në Nju Jork në dhjetor të vitit 1988.

Disa mite na kthejnë shumë vite prapa.

Ky mit – nëse do të mund të vlerësohet i tillë – na kthen më 1990. Edhe tash pas tri dekadash ai vazhdon të jetë pika qendrore e retorikës kundërshtuese të presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me raportet e Moskës me Perëndimin.

Bëhet fjalë për zgjerimin e NATO-s. Kjo çështje mbetet një plagë e pashëruar në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, që shënoi kulmin gjatë Luftës së Ftohtë, por tani sërish ka dalë në sipërfaqe.

Kthimi në qendër të vëmendjes, kësaj radhë nuk u bë nga ndonjë shpërthim i zemërimit nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, por nga një raport i një instituti me qendër në Londër – Chatham House.

Raporti i publikuar më 13 maj, synon të heqë një sërë, siç i quan, “mite dhe keqkuptime”, që kanë formësuar mendimin perëndimor dhe e kanë ndaluar atë të mbajë “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të menaxhueshme me Moskën”.

Në veçani një “mit” ka nxitur debate në zjarrta online, për shembull në Twitter shkruhej: “Rusisë iu premtua që NATO-ja nuk do të zgjerohej”.

“Bashkimit Sovjetik kurrë nuk iu ofrua një garanci zyrtare mbi kufijtë e zgjerimit të NATO-s, pas vitit 1990”, shkroi James Lough, bashkëpunëtor i hulumtimit.

Sipas tij, Moska me qëllim shtrembëron historinë për të ruajtur një konsensus anti-perëndimor brenda vendit.

Por, me këtë, nuk pajtohet një ish-diplomat rus, që ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme në Moskë mes viteve 1987 dhe 1992.

“Raporti i Chatham House është shumë i keq. Tingëllon sikur të jetë prodhuar nga Departamenti i Ideologjisë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk na duhej të hapnim këtë çështje, ajo mund të mbetej një skenar i vogël në histori që nuk ka nevojë të zgjidhet”, tha ai.

Por, e kaluara është shumë aktuale, duke marrë parasysh gatishmërinë e Putinit për të qëndruar në detyrë deri në vitin 2030, dhe më shumë se dy dekada pasi përbërja origjinale e NATO-s së Luftës së Ftohtë, u zgjerua për herë të parë me tri vende të Traktatit të Varshavës.

“Ne ende po debatojmë për këtë pasi ithtarët e zgjerimit (të NATO-s) besojnë se ata vepruan me nder dhe ndihmuan miliona njerëz që kishin qenë nën sundimin sovjetik, të arrinin lirinë e tyre”, tha Jim Goldgeier, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurimit Kombëtar gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, në vitet 1990.

“Retorika ruse thotë se Perëndimi i mashtroi ata dhe veproi në atë mënyrë pas Luftës së Ftohtë, duke i lënë jashtë Evropës. Është shumë e vështirë të tejkalohen këto pozicione”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Goldgeier.

“Pra, disa duan të fajësojnë Perëndimin dhe ka nga ata që duan të fajësojnë Putinin”.

“Nuk është në agjendë”

Shumë studiues të Luftës së Ftohtë thonë se fillet e kësaj historie mund të gjurmohen në një vizitë në Moskë nga ana e Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, James Baker, ku u takua me udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev.

Kishin kaluar vetëm tre muaj prej se Muri i Berlinit ishte shembur dhe udhëheqësit perëndimorë po diskutonin hapur nëse do të ndodhte ribashkimi i Gjermanisë. Moskës, ky fakt i ngjallte frikë. Përëndimi gjithashtu po diskutonte që në rast të ribashkimit, a do të vendoseshin trupat e NATO-s në atë që njihej si Gjermania Lindore. Edhe ky fakt e tmerronte Moskën.

Sipas disa transkripteve të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, Sekretari Baker doli me idenë që do të ishte më mirë që të ndodhte bashkimi i Gjermanisë brenda strukturës politike dhe ushtarake të NATO-s, sesa jashtë saj.

“Gjatë diskutimeve, në asnjë moment, Baker ose Gorbachev nuk ngritën çështjen e zgjerimit të mundshëm të NATO-s në vendet e tjera të Paktit të Varshavës, përtej Gjermanisë”, thotë Mark Kramer, drejtori i Projektit të Studimeve të Luftës së Ftohtë në Qendrën Davis të Universitetit të Harvardit.

Ai ka studiuar transkriptet e deklasifikuara dhe materialet e tjera.

“Atyre kurrë nuk do t’iu kishte shkuar ndërmend të flisnin për një çështje që nuk ishte në agjendë, as në Uashington, as në Moskë dhe as në ndonjë kryeqytet tjetër të Paktit të Varshavës ose të NATO-s”, shkroi Kramer në një artikull në prill të vitit 2009 .

Një ditë pas takimit me Baker, Mikhail Gorbachev ishte takuar me kancelarin e atëhershëm të Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl.

Sipas hulumtimit të Kramerit, në këtë takim dominoi tema e bashkimit të Gjermanisë më shumë sesa në takimin me Baker.

“Gorbachev nuk kërkoi ndonjë siguri në lidhje me zgjerimin e NATO-s dhe sigurisht nuk mori asnjë”, shkroi Kramer.

Sipas ish-ambasadorit amerikan, Steven Pifer, i cili ka shërbyer në Departamentin e Shtetit në atë kohë, përfundimisht, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe, së bashku me Gjermaninë, ranë dakord të mos vendosnin forca jogjermane të NATO-s në ish-Gjermaninë Lindore.

Në vitin 1999, disa vite pas bashkimit të Gjermanisë dhe tërheqjes të të gjitha trupave sovjetike nga Evropa Lindore, NATO-ja pranoi tri ish-vendet e Traktatit të Varshavës: Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë.

Dhjetë vjet më vonë, gjatë një interviste për gazetën gjermane Bild, Mikhail Gorbachev u ankua se Perëndimi e ka mashtruar Moskën.

“Shumë njerëz në Perëndim, përfshirë edhe ata që na kishin premtuar se ‘nuk do të lëvizim një centimetër më në lindje’, në fshehtësi po fërkonin duart e tyre dhe e ndienin atë si një fitore të shpejtë”, u citua të ketë thënë Gorbachev.

Më vonë, ai duket se e përmirësoi deklaratën e tij, duke thënë se tema e zgjerimit nuk është diskutuar kurrë më 1989 dhe 1990.

“Po e them me përgjegjësi se tema e ‘zgjerimit të NATO-s’ nuk u diskutua kurrë, nuk u ngrit në ato vite”, tha ai për gazetën Kommersant në tetor të vitit 2014.

Nuk ishte e mundur të merrej një deklaratë nga Gorbachevi në lidhje me këtë çështje dhe një zëdhënës i tij, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje në postën elektronike.

“Fryma e Traktatit”

Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara, ish-presidenti i Rusisë, Boris Yeltsin, ishte i kujdesshëm në lidhje me çështjen e zgjerimit të NATO-s, por nuk e kundërshtoi atë.

Në një letër që Yeltsin i shkroi ish-presidentit amerikan, Bill Clinton në shtator të vitit 1993, thuhej se “natyrisht se ne e kuptojmë, që çdo integrim i mundshëm i vendeve të Evropës Lindore në NATO nuk do ta bëjë atë një aleancë që disi do të kthehet kundër Rusisë”.

“Por, është e rëndësishme të merret parasysh se si mund të reagojë opinioni ynë publik ndaj këtij hapi”, kishte shkruar ai.

Megjithatë, Yeltsin kishte cituar ato që i cilësoi si garanca të dhëna ndaj zyrtarëve sovjetikë gjatë negociatave për bashkimin e Gjermanisë se “fryma e traktatit përjashton mundësinë e zgjerimit të NATO-s në lindje”.

Në përpjekje për të ulur shqetësimet e Moskës, katër vjet më vonë, NATO-ja dhe Rusia nënshkruan Aktin Themelues NATO-Rusi, një marrëveshje politike në të cilën ndër të tjera thuhet se “NATO dhe Rusia nuk e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtare”.

Ato u pajtuan të krijojnë një Këshill konsultativ, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por ai u pa si joefektiv nga shumë rusë.

Dy vjet më vonë, NATO-ja pësoi zgjerimin më të madh në historinë e saj, duke pranuar edhe shtatë vende të Evropës Lindore, përfshirë shtetet baltike Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të cilat kishin qenë republika të Bashkimit Sovjetik.

Edhe pse nuk ishte hera e parë që një vend anëtar i NATO-s kufizohej me Rusinë, tashmë me këtë zgjerim, forcat e NATO-s, potencialisht mund të ndodheshin vetëm 625 kilometra larg nga Moska.

Në vitin 2007, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, presidenti Putin akuzoi NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, për dyfishim të madhësisë së aleancës dhe kërcënim ndaj Rusisë.

“Është e qartë se zgjerimi i NATO-s nuk ka asnjë lidhje me modernizimin e vetë aleancës ose me garantimin e sigurisë në Evropë. Përkundrazi, ai përfaqëson një provokim serioz që ul nivelin e besimit të ndërsjellë”, deklaroi Putin.

“Çfarë ndodhi me garancitë që partnerët tanë perëndimorë i bën pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës? Ku janë ato deklarata sot?”, pyeti Putini.

Një vit pas fjalimit të Putinit, NATO-ja, gjatë një samiti në Bukuresht, i siguroi Ukrainën dhe Gjeorgjinë se vendin e kanë në aleancë, por nuk pranoi t’iu ofrojë atyre një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit.

Katër muaj më vonë, Rusia pushtoi Gjeorgjinë, duke okupuar dy rajone që gëzonin autonomi të plotë.

Më 2014, NATO anuloi çdo konsultë me Rusinë pasi ajo aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti luftëtarët separatistë në Ukrainën lindore. Incidentet në këtë rajon po vazhdojnë sot e kësaj dite.

Menjëherë pasi Parlamenti rus miratoi aneksimin e Krimesë, Putini tha në një fjalim se Rusia u poshtërua nga zgjerimi i NATO-s.

“Ata na kanë gënjyer shumë herë, kanë marrë vendime prapa shpinës sonë, na kanë vendosur para një akti të kryer”, pretendoi ai.

Shpërndarja e retorikës

Ndër njerëzit që i ka bërë jehonë pretendimit për premtime të Perëndimit bërë ish-Bashkimit Sovjetik, është edhe ambasadori i fundit i SHBA-së në Bashkimin Sovjetik, Jack Matlock, i cili ka këmbëngulur në mënyrë të përsëritur se Gorbachev kishte marrë garanci se nëse Gjermania bashkohej dhe qëndronte në NATO, kufijtë e NATO-s nuk do të lëviznin drejt lindjes.

Ish-zëvëndësministri i Jashtëm i Gjermanisë, Wolfgang Ischinger, i cili tani është kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, tha se marrëveshjet mbi ribashkimin gjerman nuk kanë përmendur zgjerimin e NATO-s.

“Rusia ka qenë mjaft e suksesshme në shpërndarjen e retorikës se atyre u ishte premtuar se nuk do të kishte zgjerim të NATO-s”, tha Ischinger për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Rusia e paraqet veten si viktimë.

“Çfarëdo premtimesh për moszgjerimin që mund të jenë diskutuar më 1990, një fakt kokëfortë është që Rusia pranoi zgjerimin, kur ra dakord për Aktin Themelues NATO-Rusi”, tha Ischinger.

“Pretendimet e mëvonshme ruse janë propagandë”, shtoi ai.

Ish-diplomati rus, Sokov, tha se zgjerimi i NATO-s mund të ishte “menaxhuar” në atë mënyrë që të minimizonte keqkuptimet.

Një mundësi e humbur?

Zgjerimi i parë më 1999 u bë rreth periudhës së bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, që kishin për qëllim të ndalonin sulmet e forcave serbe kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Ky intervenim dhe pushtimi i Irakut më 2003, nxitën zemërimin e Moskës.

“Është gabim të shmangësh shqetësimet ruse”, tha Sokov.

Sipas tij, Akti Themelues i vitit 1997 kishte qëllim të mirë, siç kishte edhe krijimi i Këshillit NATO-Rusi më 2002.

Por, ai thekson se këto marrëveshje “nuk kanë funksionuar kurrë”, duke shtuar se NATO-ja shpesh merr veprime pa u konsultuar me Moskën dhe të cilat prekin sigurinë ruse ose atë rajonale.

“NATO-ja merr një vendim, pastaj mundohet që ta bindë Rusinë se ai ishte vendim i mirë. Kjo është një formulë për katastrofë”, tha ai, duke shtuar se ka qenë e mundur që NATO-ja të zgjerohej dhe të shmangej konflikti.

“Mundësia është humbur dhe po shohim përkeqësim të konfliktit, prandaj pyetja rreth garancive të dhëna nga Baker nuk është asgjë tjetër përveç një simbol,” tha ai.

Ekspertët tjerë thonë se problemi qëndron kryesisht në anën e Moskës, për shkak të mënyrës sesi Putini dhe Kremlini perceptojnë historinë e zgjerimit të NATO-s.

“Nocioni se NATO e shkeli premtimin se nuk do të pranojë anëtarë të Evropës Lindore është një nga idetë thelbësore që nxit pikëpamjen e Rusisë për një Perëndim armiqësor”, tha Keir Giles, një konsulent dhe bashkëautor i raportit të Chatham House.

Dhe situata mbase nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti.

Premtimi i pretenduar për moszgjerimin e NATO-s pa dyshim se do të mbetet një element i qëndrimit anti-NATO të Putinit, thotë ish-ambasadori amerikan, Pifer.

“Lideri rus dëshiron të paraqesë një Rusi të hidhëruar dhe kjo i përshtatet shumë mirë”, tha Pifer./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA