Marrëdhënia e Sali Berishës me Shtetet e bashkuara të Amerikës ka qenë shumë e luhatshme dhe ka njohur kontraste shumë të forta.
Shpallja si i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara është akti i fundit i një historie shumë të gjatë gati 30 vjecare. Kur sapo ishte rrëzuar komunizmi në Shqipëri erdhi sekretari amerikan i shtetit Xhejms Bejker si sinjal i fortë mbështetje për ndryshimin që po ndodhte. Në atë kohë Berisha ishte në krye të Partisë Demokratike. Por pas disa vitesh në krye të shtetit shqiptar si President, Berisha nisi një politike autoritare duke e çuar veten në një kurs përplasjeje me amerikanë. Përplasja e parë ishte arrestimi i 5 minoritarëve pas incidentit ne posten e Peshkëpisë me 10 prill 1994. Raportet amerikane për mënyrën se si Shqipëria po trajtonte minoritetin grek ishin shqetësuese. Në këtë kohë ndodhi edhe incidenti i parë.
Amerikanët ndërhynë menjëherë dhe nënsekretari amerikan i shtetit Timothi Wirth kërkoi të takohej me ish presidentit Berisha, por u refuzua. Ky është dokumenti i deklasifikuar i ambasadës amerikane që tregon se si Berisha nuk pranoi të takohej me të dërguarin amerikan me gjithë ndërhyrjet pranë ish ministrit të mbrojtjes Safet Zhulali dhe ish ministrit të jashtëm Tritan Shehu. SHBA duhej të kujdesej për balancat në gjithë Ballkanin, kur tensionet mes Greqisë, Turqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk ishin aspak të mira. Në atë kohë Berisha udhëton drejt Uashingtonit për të takuar Presidentin Klinton. Ky është dokumenti i gjithë takimit të zhvilluar në shtëpinë e bardhë ku tema e minoritetit grek ishte ndër prioritaret. Gjatë qëndrimit në SHBA të Berishës, Gjykata e Lartë në Shqipëri kishte liruar nga burgu minoritarët. Gjatë takimit me Klinton Berisha kishte premtuar se do respektonte pavarësinë e gjyqësorit por sapo mbërriti në Tiranë ai shkarkoi Zef Brozin të cilin thuhet se ambasadës amerikane iu desh ta nxjerrë këtë të fundit fshehurazi nga Shqipëria, për t’i shpëtuar ndjekjes së SHIK-ut. Ndërkohë ish ambasadori Joseph E. Lake u largua para kohe nga Shqipëria. Në Shqipëri erdhi më pas Mariza Lino, një diplomate që i solli shumë dhimbje koke Berishës. Në zgjedhjet e 1996 ndodhi masakra më e madhe elektorale në historinë e Shqipërisë. Departamenti Amerikan i Shtetit i kërkoi publikisht Berishës që të lejonte ribërjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale por ai refuzoi duke thëne se zgjedhjet ishin me te mirat dhe lejoji perseritje ne 17 zona. Për të larguar vëmendjen nga zgjedhjet shqiptare, Berisha në mënyrë tinëzare po i frynte një klime konflikti në Kosovë, duke mbështetur politikanët më radikalë kundër linjës së ish presidentit Rugova, kjo, kundër politikës amerikane. Pakënaqësia amerikane më pas u shpreh qartë nga ambasadorja Lino, ndaj të cilës shpesh idhtarët e Berishës organizonin edhe protesta kundër.
Edhe vende të tjera perëndimore reaguan ndaj Berishës ndërsa FMN mbajti një qëndrim shumë të ashpër kundër firmave piramidale në Shqipëri. Por, Berisha i injoroi sërish dhe erdhi tragjedia e madhe e 1997. Në vitin 1998 në kohën e grushtit të shtetit, Berisha detyroi amerikanët që t’i përdornin një gjuhë shumë të ashpër për ta detyruar të tërhiqej nga marrëzia e rrëzimit të qeverisë me dhunë. Izolimit ndërkombëtar të Berishës pas vitit 1998, ai ju përgjigj me akuza ndaj diplomatëve amerikanë duke e cilësuar ish ambasadorin Zhozef Limpreht si guvernator të paemëruar. Rikthimi në qeverisje ishte një periudhë qetësie në marrëdhëniet publike, por shpesh diplomatët amerikanë ndërhynë kur Berisha nisi sulmin ndaj mediave. Ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011 u mbajtën shënim nga diplomacia amerikane. Ambasadorët amerikanë u sulmuan dhe u akuzuan nga Berisha nëpërmjet njerëzve të tij dhe gazetës së PD. Ambasadori Uidhers ishte një prej tyre që u përpoq të njollosej edhe për tragjedinë e gërdecit. Ndaj tij u lobua në Uashington edhe për ta larguar nga Shqipëria. Ambasadori Arvizu publikisht kishte marrëdhënie të mira me Berishën, por edhe ndaj tij nuk munguan etiketimet. Ndërsa Donald Lu, u vu në shënjestër për shkak të angazhimit dhe mbështetjes shumë të fortë që SHBA i dha Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Ja çfarë thoshte ai në çadrën e PD.
Megjithatë ambasadori Lu me forcën e jashtëzakonshme të diplomacisë amerikane detyroi me hir e me pahir të 140 deputetët, përfshi edhe vetë Berishën, ta votonin Reformën në Drejtësi. Berisha nuk iku kurrë nga drejtimi në hije i PD dhe shpesh diplomatët amerikanë duhet të bisedonin me të për çështje kyçe. Që nga radikalizmi i qëndrimit të opozitës dhe dalja në rrugë me protesta të dhunshme deri tek çështjet e reformës në Drejtësi. Mbatja peng të opozitës në shërbim të interesave familjare më herët kishte marrë një goditje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mesazhet publike diplomatit Palmer dhe kërcënimet ballë për ballë të diplomatëve amerikanë në tiranë për shpallje si organizata të dhunshme të partisë më të madhe të opozitës, janë disa nga lëvizjet e forta amerikane kundër politikës së tensionit që ushqente Berisha. Çfarë ka ndodhur kohët e fundit jashtë vëmendjes së publikut do mësohet disa vite më vonë kur dokumentat të deklasifikohen. Por vendimi amerikan për ta turpëruar botërisht ish presidentin ish kryeministrin dhe ish kryetarin e PD, janë treguesi më i mirë i asaj që ka ndodhur. Por edhe një paralajmërim i fortë për të tjerët që janë ende me pushtet në Shqipëri duke ju treguar se cili është fundi që i pret.
Top Channel