Edhe pse zëra ishin dëgjuar, njoftimi i sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, për të ndaluar hyrjen në SHBA të Sali Berishës dhe familjarëve të tij për veprimet e tij korruptive që minuan demokracinë, ka qenë suprizues.
Në sytë e analistëve vendimi i departamentit amerikan të shtetit për Sali Berishën është hapi i parë në vend për të inkurajuar krimet e pandëshkuara karshi politikanëve.
Alfred Lela: Kjo ishte krisma më e fortë e reformës në drejtësi me shtysë amerikane. Megjithëse pëshpëritej shumë për Berishën, pak besohej se do të ishte ai i pari ose në thonjëza ‘peshku i madh’ i Donald Lu pra amerikanëve.
Edlira Gjoni: Sali Berisha ka qenë kryetar i PD por kjo nuk do të thotë se Partia Demokratike është shtëpia e akuzave të ngritura mbi këtë njeri. Është një problem me persona të korruptuar që vijnë nga të gjitha krahët politikë, përfshirë edhe partinë në pushtet aktualisht. Është vetëm një tullë në murin që ka filluar të ngrejë ambasada amerikane me listën e njerëzve që ajo i shikon si të papërshtatshëm për tu mbështetur.
Aleksandër Cipa: Tranzicioni gjeneroi vrasje dhe gjakime njerëzish që mbeten ende të pagjykuara nga drejtësia shqiptare dhe ndaj mendoj që ky është një akt që nuk lidhet vetëm me emrin e Sali Berishës por jam i sigurt që do të ketë edhe të tjerë protagonistë të përgjegjësisë përgjatë 30 viteve”.
Carlo Bollino: Brenda skandalit Gërdec janë familjarë të Berishës dhe aleatë të Berishës konkretisht zoti Mediu, kështu që ndoshta mund të referohet ai dhe mund të referohet edhe z meta ,në një të ardhme mund të merret i njëjti vendim”.
Momenti i zbulimit të këtij vendimi për ish-kryeministrin dhe ish presidentin Berisha ka qenë i papritur, por nuk e bën PD, siç thonë analistët, ‘shtëpinë e akuzave’.
Carlo Bollino: Që para zgjedhjeve kishte pritshmëri për një deklaratë të fortë nga SHBA, megjithatë unë dua të evidentoj që kjo nuk është një vendim gjykate por vendim politik”.
Edlira Gjoni: Për mua është i çuditshëm moment që u bë publik një vendim i tillë që ka kohë që është marr nuk është marr dje. Zgjodhën për ta bërë publik pikërisht pas zgjedhjeve në një moment kur diskutohet vlefshmëria e tyre. Kam përshtypjen që një vendim i tillë nuk ka të bëjë me të kaluarën e Sali Berishës por me atë që mund të ndodhte në ditët në vijim. Pra mendoj se është një prerje rruge e ndonjë vendimi të nxituar që mund të merrte PD ndikuar nga Berisha.
Alfred Lela: Është një non grata e natyrës simbolike më shumë sesa penale. Unë besoj se do të mbetet këtu. Berisha është paralajmërimi. Ai do të hyjë në histori si goditje e simbolikës amerikane për t’u thënë edhe të tjerëve që ruhuni!”
Carlo Bollino, analisti që mendon se i prekur në këtë histori është edhe kreu aktual i PD, Lulzim Basha.
Carlo Bollino: Z. Basha është pjesë e familjes së Berishës. Në momentin që Departamenti i Shtetit ndëshkon familjarët e drejtpërdrejtë, në një farë mënyre ndëshkon edhe ata familjarë që janë lidhur për interesat e familjes. Kështu që Basha ose duhet të distancohet që nuk u duk kështu në reagimin e djeshëm , ose pastaj edhe ai do paguajë një kosto të rëndë politike”.
Top Channel