Në bisedimet e larta SHBA-Rusi theksohet nevoja e dialogut

20/05/2021 16:23

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë dallime serioze, por ende mund të gjejnë mënyra për të punuar së bashku. Kështu u tha pas takimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në Islandë.

Kremlini tha se bisedimet ishin konstruktive dhe paraqesin një “sinjal pozitiv” për një samit të mundshëm midis presidentit, Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së, Joe Biden.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska do të analizonte bisedimet përpara se presidenti Putin të marrë ndonjë vendim për takimin me Bidenin.

Ai përshëndeti vendimin e SHBA-së për të hequr dorë nga sanksionet kundër ndërtuesit të gazsjellësit midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Ministri i Jashtëm, Lavrov tha se ai shpreson që udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të gjenin mënyra për të përmirësuar marrëdhëniet, pavarësisht faktit se pikëpamjet e tyre “dallojnë shumë për situatën ndërkombëtare dhe qasjet se si duhet përmirësuar atë”.

Një zyrtar amerikan tha se takimi ishte produktiv, por nuk kishte shënuar asnjë përparim dhe se angazhimet për raportet mes dy vendeve do të vijojnë në javët dhe vitet e ardhshme.

Bisedimet mes Blinken dhe Lavrov u fokusuan në një sërë temash, duke përfshirë vendosjen ushtarake të Rusisë në dhe afër Ukrainës, konfliktin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, kërkesën për lirimin e dy shtetasve amerikanë të mbajtur nga Rusia dhe samitin e planifikuar midis Biden dhe Putin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Blinken nxiti Rusinë të lirojë dy ish-marinsat amerikanë, të burgosur në Rusi.

Pavarësisht se Rusia ka njoftuar për tërheqje të trupave të saj nga kufiri me Ukrainën, Blinken gjatë takimit ka shprehur shqetësime në lidhje me këtë çështje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjithashtu ka ngritur çështjen e shëndetit të kritikut të arrestuar të Kremlinit, Aleksei Navalny dhe veprimeve të Moskës kundër Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë.

Blinken përsëriti se presidenti Biden dëshiron “një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë” dhe se të dyja vendet mund të punojnë së bashku në trajtimin e pandemisë së koronavirusit, çështjen e ndryshimeve klimatike, programin bërthamor të Iranit dhe Koresë së Veriut dhe luftën në Afganistan.

“Kjo do të ishte mirë për njerëzit tanë, rusët dhe për botën”, tha Blinken./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA