Ish kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se do të padisë sekretarin e Shtetit, Antony Blinken pas vendimit për ta shpallur “non grata” nga SHBA.
Vetëm 24 orë pas këtij vendimi, Berisha ka dalë në konferencë për media duke thënë se Blinken do të paditet dhe dënohet nga Gjykata e Parisit.
Berisha: Duke filluar nga momenti kur Blinken bëhet autor i një komedie dhe montazhi politik të destinuar për të më dëmtuar mua, kjo nuk hyn në funksionet e një ministri. Asnjë qeveri cilado qoftë ajo nuk mund të ketë funksion shpifjen dhe përbaltjen. Pra, sipas avokatit të tij që unë kam konsultuar, Blinken nuk është i mbrojtur me asnjë imunitet ndaj dhe do ta padit.
Do të paditet dhe dënohet nga gjykata e Parisit për shpifje. Një vendim ky i paparashikuar ndonjëherë në jetën time, por çështja e dinjiteti është më thelbësore e njeriut. Nëse i prek tjetrit nderin dhe dinjitetin, e çvlerëson atë për veten e tij, familjen e tij, miqtë dhe komunitetin ku jeton. Kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëj gjithçka për dinjitetin e këtij populli.
Berisha është përgjigjur nëse i bën personalizim vendimit të DASH duke çuar në gjyq sekretarin duke thënë se ishte ai që përdori autoritetin për ta dëmtuar.
Berisha: Është sekretari i cili ka njoftuar dhe firmosur. Është ai që përdori autoritetin e tij për të më dëmtuar mua, për të cenuar nderin dhe dinjitetin tim. S’do të doja kurrë të ishte ai, por e bëri këtë dhe nuk kam asnjë kundërshtim. po i përgjigjem në gjykatë. Nuk shkoj dot në gjykatën amerikane, por po shkoj në një gjykatë të ndershme.
Top Channel