AMF nxjerr për konsultim tre modelet e reja të policave të sigurimit, si pritet të jenë pas 1 korrikut

20/05/2021 17:21

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nxjerrë për konsultim publik tre modelet e policave të reja të sigurimit të detyrueshëm, në zbatim të ligjit të ri, që hyn në fuqi më 1 korrik të këtij viti. 

Bëhet fjalë për policën e sigurimit TPL, policën e pasagjerëve në transportin publik dhe policën e sigurimit kufitar. Modelet e reja të policave, që pasi t’i nënshtrohen konsultimit publik, pritet të miratohen nga Bordi i Autoritetit, reflektojnë disa nga ndryshimet kryesore të Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në kushtet e përgjithshme, në faqen e pasme të policës së sigurimit TPL, përfshihet detyrimi ligjor i shoqërive të sigurimit për të shpërndarë formularin “Raportit Evropian i Aksidenteve”, së bashku me policën e sigurimit. Ky formular do të përdoret në rastet e dëmeve me vlerë deri në 30 mijë lekë, nëse drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident bien dakord për përgjegjësinë dhe nënshkruajnë formularin, pa lindur nevoja që polica rrugore të vijë në vendngjarje.

Gjithashtu, në policën e re të sigurimit reflektohen si informacion ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me afatet e reja për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, kryesisht për ato dëme me vlerë deri në 100 mijë lekë. Për këtë kategori dëmesh, ligji i ri përcakton afatin 14 ditor për trajtimin e dëmeve dhe jo 30 ditë siç është aktualisht.

Mes ndryshimeve të reja është edhe ai që ka të bëjë me shmangien e Fondit të Kompensimit, ku palës së dëmtuar në një aksident i jepet e drejta t’i drejtohet me kërkesë për dëmshpërblim drejtpërdrejt shoqërisë së saj të sigurimit, në rastin kur shkaktari i aksidentit është i pasiguruar apo i paidentifikuar, mbi çdo dëm të shkaktuar mbi pronën apo shëndetin e tij.

Gjithashtu, në pjesën e pasme të policës së re të sigurimit TPL, janë reflektuar ndryshimet ligjore në lidhje me limitet e përgjegjësisë, ku parashikohet rritje e tyre në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, në 1 korrik të këtij viti, shoqëruar me rritje graduale nga 1 janari 2022 deri në 31.12.2026.

Ndryshimet ligjore janë reflektuar gjithashtu edhe te kushtet e përgjithshme te polica për sigurimin e detyrueshëm nga aksidentet të pasagjerëve në transportin publik, si edhe policat e sigurimit kufitar. Personat që presin siguracionin duhet të lexojnë paraprakisht kushtet e përgjithshme të sigurimit, për t’u informuar edhe për rastet kur mund të përjashtohen nga mbulimi me sigurim, ose dëmshpërblimi.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA