Kina i akuzoi Shtetet e Bashkuara se po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit pasi një luftanije amerikane kaloi mes detit që ndan ishullin nga fqinji i tij i madh.
Flota e 7 e Marinës amerikane tha se destrojeri USS Curtis Wilbur, me raketa Arleigh Burke, po kryente një lëvizje rutinë në ngushticë, në përputhje të plotë sipas saj me ligjin ndërkombëtar.
“Tranziti i anijes përmes ngushticës së Tajvanit demonstron përkushtimin e SHBA për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur“, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e saj të internetit.
“Ushtria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të fluturojë, lundrojë dhe të veprojë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar“, theksohet më tej. Por, autoritetet kineze e kundërshtuan ashpër këtë veprim që vjen në mesin e një përshkallëzimi të tensioneve mes dy fqinjëve.
“Lëvizjet e SHBA-së i dërgojnë sinjale të gabuara forcave të pavarësisë së Tajvanit, duke dëmtuar qëllimisht situatën rajonale dhe duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin përtej ngushticës së Tajvanit“, tha zëdhënësi i komandës lindore kineze.
Ai shtoi se anija amerikane u gjurmua dhe monitorua gjatë gjithë udhëtimit të saj. Kina beson se qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike e Tajvanit është e vendosur të shpallë zyrtarisht pavarësinë e ishullit, e kjo për Pekinin përbën një vijë të kuqe.
Top Channel