Pas rrëzimit të ankesave të PD dhe LSI për pavlefshmëri të votave në qarkun Gjirokastrës për zgjedhjet e 25 prillit, përfaqësuesit e dy forcave politike në KQZ kanë ngritur akuza akuzuar se është vendimmarrje politike.
Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso tha se çështja do të dërgohet në Kolegjin Zgjedhor.
“Sapo u njohëm me vendimin e komisionin e Ankimit dhe Sanksioneve lidhur me kërkesën tonë për pavlefshmëri në qarkun e Gjirokastrës, kërkesë e cila u shqyrtua e para, dhe le të themi që nuk kishte asnjë surprizë në këtë vendimmarrje të paralajmëruar që kur KAS-i refuzoi të merrte provat e shumta që u kërkuan nga ana e opozitës të cilat do të faktonin dhe do të dëshmonin masakrën zgjedhore të zgjedhjeve të 25 prillit. Është një vendim në këndvështrimin tonë, i kundraligjshëm, dhe si i tillë, do të ankimohet menjëherë në Kolegjin Zgjedhor, ku shpresojmë që ajo çka u vendos në Komisionin e Ankimit dhe të Sanksioneve duke mos marrë prova të cilat do të vërtetonin pretendimet tona, të mos përsëritet në Kolegj Zgjedhor, të bëhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm të një aspekti ende të errët të masakrës zgjedhore të 25 prillit, të cilat ditë pas dite po zbulohet nga faktet e pakta që janë administruar në këtë proces administrativ dhe shpresojmë që logjikisht, vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor të jetë e ndryshme duke çertifikuar çdo lloj pretendimi dhe çdo lloj fakti dhe prove që ne kemi paraqitur dhe duke shpallur të pavlefshme zgjedhjet në zonën zgjedhore të qarkut të Gjirokastrës. Është një detyrim që ua kemi të gjithë shqiptarëve, jo vetëm të atyre që dolën masivisht më 25 prill dhe përqafuan dhe mbështetën alternativën tonë dhe ofertën tonë për ndryshim, por të gjithë shqiptarëve dhe mbi të gjitha demokracisë në vend”, tha Kaso.
Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Altin Kaziaj akuzoi anëtaret e KAS duke thënë se kanë marrë urdhra politikë duke shkelur ligjin.
“KAS ka marrë një vendim duke mos vendosur një standard të caktuar për standardin e zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve atje pas shpalljes së pavlefshmërisë. KAS sot është njohur edhe me prova shteruese, të cilat ishin alarmante dhe anëtarët e KAS pasi morën urdhra politikë kanë shkelur ligjin“, Kaziaj.
Top Channel