Tanimë studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës do të kenë mundësi të përgatiten profesionalisht duke kryer studimet e tyre pranë landfilit të Sharrës. Administratorja e Shoqërisë Integrated Energy, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje me Universitetin Bujqësor, u shpreh se ky është fillimi i një bashkëpunimi që do të shërbejë për gjeneratat e ardhshme në degët e mjedisit, veterinarisë dhe agronomisë ndërsa siguroi se nuk do të mbetet në letër por do të jetë një realitet i prekshëm për të gjithë.
“Zona e trajtimit të mbetjeve të Sharrës do të kthehet në një zonë kërkimore shkencore për të gjithë studentët e universitetit tuaj, të cilët do të kenë mundësi për të mbyllur temat e diplomave, masterit, kërkimet shkencore që mund të bëjnë dhe çfarëdo gjëje tjetër. Ne do të jemi në dispozicionin tuaj dhe do të jemi shumë të lumtur për këtë bashkëpunim afatgjatë”, u shpreh administratorja e Shoqërisë Integrated Energy.
Rektori i Universitetit Bujqësor, profesor Fatbardh Sallaku, ndërsa shprehu konsideratë të lartë për mënyrën e menaxhimit të mbetjeve të shoqërisë Integrated Energy, nënvizoi rëndësinë që do të ketë kjo marrëveshje për studentët e tij.
“Ne e konsiderojmë këtë marrëveshje shumë të rëndësishme, për faktin sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e mjedisit. Të gjithë biem dakord që mënyra e trajtimit të mbetjeve është kjo mënyrë, e cila ju ofroni nëpërmjet kompanisë tuaj. Ju falënderoj shumë në emër të Universitetit Bujqësor, në emër të ekipit dhe shpresoj që kjo marrëveshje të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë të gjatë”, theksoi profesor Fatbardh Sallaku.
Profesor doktor Seit Shallari shprehu konsideratën e tij për veçoritë e kompleksit të Sharrës, i cili do të shndërrohet në një hapësirë shumë të rëndësishme për studentët që do të praktikohen në ato ambiente.
“Është marrëveshje me kompaninë që adreson për zgjidhje një nga problematikat më të vështira mjedisore në Shqipëri, siç është menaxhimi i mbetjeve. Është kompania që merret ose menaxhon gjysmën e mbetjeve të vendit. Por, edhe për faktin se kompleksi i Sharrës është një kompleks unik dhe mjaft interesant për studentët.”, deklaroi profesor Seit Shallari.
Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku u shpreh se shpreson që ky të jetë fillimi i një bashkëpunimi të studentëve me një ndër kompanitë më serioze në këtë fushë.
“Ne shpresojmë shumë që kjo marrëveshje, e cila do t’u shërbejë studentëve të programeve mastër dhe pse jo doktoraturë, të jetë vetëm një nisje e një bashkëpunimi të gjatë me një ndër kompanitë më serioze në fushën e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri”, theksoi Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku.
Shoqëria Integrated Energy BV SPV është e specializuar në ofrimin e zgjidhjeve mjedisore afatgjata dhe të qëndrueshme në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Që prej vitit 2018, IEBV menaxhon Landfillin e Sharrës duke sjellë një ndryshim rrënjësor të situatës mjedisore në qytetin e Tiranës. Ndërsa ndryshimi mund të shihet qartë, pasi kjo zonë është tashmë plot me parqe, kafshe dhe bimë të ndryshme, investim i kompanisë me qëllim jo vetëm për një hapësirë të pastër dhe të rregullt por edhe pro mjedisore. 3 studentë ekselentë të Univeristetit Bujqësor do të përzgjidhen për t’u punësuar pranë Integrated Energy BV SPV./gazetashqip
Top Channel