Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndëshkojnë ish kryeministrin Berisha duke e akuzuar për korrupsion dhe shfrytëzim të pushtetit për përfitime personale.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken publikisht ka shpallur si person te padëshiruar në SHBA ish kryeministrin Sali Berisha bashkë më familjen e tij, bashkëshorten Lirien, vajzën Argita dhe djalin Shkëlzen.
“Ish presidenti Shqipërisë Sali Berisha me aktet e tija korruptive minojnë demokracinë. Unë në mënyrë publike shpall Berishën dhe antarët e familjes së tij të ngushtë si të ndaluar për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundra korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.
Ndërkohë Departamenti i shtetit jepen hollësi për këtë vendim ndaj Sali Berishës dhe familjes me motivacionin për përfshirje në mënyrë sinjifikative në korrupsion.
“Sot shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës. Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”.
Sekretari Blinken jep një tjetër argument për këtë vendim që është një knock-down amerikan për Sali Berishën.
“Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.
Në deklaratën e sekretarit Blinken renditen me emra se kush tjetër përveç Sali Berishës i hapet semafori i kuq amerikan.
“Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”.
Numri një i diplomacisë amerikane shpjegon qëllimin e këtij vendimi të ngjashëm me ato të Tom Doshit, Adriatik Llallës dhe Vangjush Dakos tre vite më parë.
“Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.
Ky vendim i SHBA vërteton akuzat ndër vite se zoti Berisha përmes të birit dhe vajzës duke përdorur pozicionin e tij si kryeministër i favorizoi ata në realizimin e pasurive të pajustifikuara, ndërsa akuza tjetër e rëndë që vjen nga Washingtoni është se zoti Berisha, ka ndikuar që të mos hetohen këto akte korruptive.
Top Channel