Në Shqipëri çdo dy ditë presidenti jep një medalje nderi për një personalitet të shquar. Aktualisht kreu i shtetit firmos më shumë se 140 medalje në vit, duke u renditur kështu ndër vendet me rekord personalitesh të jashtëzakonshme që meritojnë nderim të veçantë.
Kushtetuta ia njeh të drejtën e shpërndarjes së medaljeve të larta, ekzkluzivisht vetëm presidentit, por skandali i dekoratave nuk është një fenomen i ri për shtetin shqiptar. Krejt ndryshe nga praktika që ndjekin vendet e tjera, ku këto nderime lëshohen me pikatore, Shqipëria e ka veshur edhe këtë proces mjaft delikat me interesa politikë e ngjyra të forta folklorizmi.
Me shumë tituj dhe pa hirearki, sistemi aktual i dekoratave ka bërë që nderin më të madh të shtetit ta përfitojnë figura të diskutuara të historisë, këngëtarë dasmash, artistë me kontribut minimal, komuna apo rrethe që nuk ekzistojnë më, njerëz me lidhje të dukshme politike apo edhe politikanë të huaj.
Më keq akoma kjo mënyrë e dyshimtë e shpërndarjes së dekoratave ka vendosur një shenjë barazimi mes atyre që vërtetë kanë kontribute të jashtëzakonshme dhe atyre që e marrin për një interes të momentit. Përpos kësaj dekoratat në vendin tonë nuk kanë as vlerë si material, pasi janë vetëm argjend të larë në flori.
“Nëse do ti nxjerrësh në një ankand nuk kanë asnjë vlerë sepse janë të shumta, janë prodhuar me qindra copë dhe natyrisht këtë ka medalja. Shkon tek vlera e një objekti të bankës. Pra puna që ti ke bërë ke një meritë të jashtë zakonshme për të marrë një medalje të jashtëzakonshme. Por në se ti ke bërë një punë të zakonshme, natyrisht do të marrësh atë dekoratën e zakonshme dhe për këtë arsye ka inflacion” u shpreh Suzana Varvarica, Studiuese.
Pa një udhëzues të përcaktuar qartë, ka raste kur individë të ndryshëm kanë marrë dy herë të njëjtën medalje, apo kur ka marrë një medalje më të vogël nga ajo që ka marrë në fillim.
Emisioni i plotë
Top Channel