Të paktën 16 të vdekur dhe 200,000 të evakuar teksa cikloni monstruoz godet Indinë

18/05/2021 20:32

Autoritetet në Indi thanë sot se të paktën 16 njerëz janë vrarë nga stuhia ekstreme që ka prekur brigjet perëndimore të Indisë. Vdekjet u regjistruan në rajonet Goa, Maharashtra e Karnataka prej përmbytjeve të shkaktuara nga cikloni Tauktae.

Një natë më parë cikloni preku tokën në shtetin indian të Gujarat me erëra të shpejtësisë 190 km/orë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke dëmtuar ndërtesa.

Më shumë se 200,000 janë evakuar nga shtëpitë prej autoriteteve dhe aeroportet janë mbyllur. Stuhia ishte më e rënda që godet Gujarat në dy dekada.

“Prioriteti ynë janë lirimi i rrugëve, për të pasur mundësi lëvizjeje të pajisjeve të spitaleve”, tha Gaurang Makwana, zyrtar i lartë në krahinën Bhavnagar në Gujarat.

Marina indiane tha se kishte shpëtuar 146 njerëz nga dy barka të mëdha në brigjet e Mumbai, ndërsa shtoi se ka dërguar avionë e helikopterë për të kontrolluar në dete.

Ciklone të tilla tropikale janë të pazakonta në detin Arabik të brigjeve lindore të Indisë dhe zakonisht formohen më vonë gjatë vitit.

Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike kanë bërë që ato të ashpërsohen e të bëhen më të shpeshta.

FOTO GALERI
1/5
Reshje ekstreme te sjella nga cikloni Tauktae ne Mumbai

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA