Ambasada amerikane në Prishtinë ka reaguar pas aksionit të djeshëm për luftimin e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, ku u sekuestruan 400 kilogramë kokainë dhe u arrestuan shtatë persona.
Sekuestrimi erdhi pas një aksioni të përbashkët të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë, Italisë dhe DEA-s amerikane.
Ambasada amerikane në një postim në Twitter shkruan se luftimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës kërkon vendosmëri dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Më tej thuhet se aksionit i djeshëm është fitore e madhe për sundimin e ligjit.
“Luftimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës kërkon vendosmëri dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Ju lumtë autoriteteve të Kosovës për kapjen e djeshme të drogës në Lipjan – sukses përmes partneritetit global midis Kosovës, Italisë, Shqipërisë, & @DEAWashingtonDC. Fitore e madhe për sundimin e ligjit”, shkruan ambasada amerikane në Twitter.
Kujtojmë se një ditë më parë janë sekuestruar 400 kilogramë kokainë dhe janë arrestuar shtatë persona.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti mbrëmë në një konferencë për media bëri të ditur se më 3 maj ka pranuar informacion se një dërgesë e dyshimtë që destinuar për Kosovën ndodhet në një port italian.
Mehmeti theksoi se është arritur marrëveshje me autoritetet italiane që e njëjta ngarkesë të përcillet nga institucionet e sigurisë të këtyre vendeve dhe Shqipërisë.
“Institucionet e këtyre shteteve kanë pasur komunikim të vazhdueshëm dhe në kohë reale. Kjo ngarkesë në Kosovë ka arritur më 15 maj dhe e njëjtë është ndalur në parkingun e biznesit të dyshuar. Kjo ngarkesë është mbikëqyrur gjatë gjithë kohës. Të dyshuarit kanë filluar të tërheqin ngarkesën e dyshuar të narkotikëve me ç’rast kanë ndërhyrë njësitet special të policisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Mehmeti thotë se substancat narkotike ishin paketuar në 400 pako dhe të njëjtat dyshohet se ishin nisur nga Brazili.
“Substanca narkotike ishte e kamufluar me pako të ngjashme si lloje të ndryshme të mishit”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës thotë se janë në kërkim edhe persona tjerë të dyshimtë si të përfshirë në këtë rast.
“Aktualisht janë shtatë të arrestuar, të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës. Mund të ketë edhe tjerë”, tha Samedin Mehmeti.
Top Channel