Pritet të nxjerrë dy vaksina në korrik/ Thirrje për t’iu bashkuar Asamblesë Botërore të Shëndetit: Tajvani mund të ndihmojë

18/05/2021 20:20

Data  24 maj  do të shënojë ditën kur bota do të mblidhet virtualisht për herë të 74 në Asamblenë  Botërore të Shëndetit (WHA).

Asambleja është organi vendimmarrës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë( OBSH )dhe përcakton axhendën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për t’i dhënë fund pandemisë covid-19 dhe avancimit të shëndetit global dhe sigurisë shëndetësore – çështje që na prekin të gjithëve.

Ajo çfarë pritet me shumë interes në këtë takim virtual është veprimi, nëse Asambleja do të përjashtojë edhe një herë pjesëmarrjen e Tajvanit, i cili me mënyrën se si përballoi dhe luftoi pandeminë, është një përvojë jetike për të gjithë.

Shtetet e Bashkuara në kuadër të nisjes së Asamblesë i kanë bërë thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së që të ftojë Tajvanin të marrë pjesë si vëzhgues në ABSH – siç ka bërë në vitet e mëparshme, para kundërshtimeve nga qeveria e Kinës.

Vetë Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë më herët gjatë majit ka thënë se: Nuk ka asnjë justifikim të arsyeshëm për vazhdimin e përjashtimit të Tajvanit nga ky forum dhe SHBA po i kërkon drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të ftojë Tajvanin të marrë pjesë si vëzhgues, si në vitet e mëparshme, përpara kundërshtimeve të Kinës.

Ndërkohë zyrtarë të Departamentit të Shtetit në një bisedim ditën e sotme  me gazetarët , i mëshuan faktit se “Tajvani mund të ndihmojë shumë’ me përvojën e tij  OBSH-në dhe si rrjedhojë dhe gjithë shtetet e tjera në luftën kundër kësaj pandemie, dhe pse jo të nxirren mësime për të parandaluar situata  të tilla në të ardhmen.

Që më nisjen e pandemisë Tajvani u rreshtua, siç pak vende e kanë  arritur, si një ndër vendet me përpjekjet më të suksesshme në botë për tu kundërpërgjigjur pandemisë deri më sot, pavarësisht afërsisë së tij me vendin e origjinës, pra Wuhan të Kinës, theksuan zyrtarët e Departamentit të Shtetit në fjalën e tyre.

“Po flasim për një rajon me një sistem shëndetësie të sofistikuar që për më tepër është dhe një nga prodhuesit kryesorë të materialeve mbrojtëse shëndetësore , e që në ndërkohë ka dy vaksina kandidate kundër covid, që presin edhe disa kontrolle të mëtejshme për të marrë miratimin. Të gjitha këto janë elemente pro, por nuk mund të përfitohet e bashkëpunohet nëse nuk ka një ftesë nga OBSH”, thanë zyrtarët.

Po ku qëndron ngërçi i Tajvanit me Asamblenë?

Në fakt Tajvani , që ka një popullsi prej 24 milion banorësh, ka qenë pjesë e Asamblesë, prej vitesh me statusin si vëzhgues nga viti 2009 deri në vitin 2016.

Por që pas këtij viti,  Kina bllokoi përfaqësimin e Tajvanit pas zgjedhjes së Tsai Ing-en, një skeptike e Kinës, si presidente e Tajvanit në vitin 2016 dhe duke u rizgjedhur më pas në vitin 2020.

Kina pretendon sovranitetin mbi Tajvanin, por Tsai kundërshton kushtet e qeverisë së Pekinit për dialog.

Të pyetur se çfarë mendimi kanë për rolin e Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i OBSH në zgjidhjen e kësaj situate, zyrtarët thanë se ai ka mandatin e plotë për të bërë një zgjatje  të ftesës.

“Praktika e Tajvanit ka qenë e suksesshme dhe ata duhet të kenë mundësi të punojnë direkt me OBSH dhe  në këtë mënyrë të ndihmojnë edhe të tjerët,  Tajvani ka mbledhur  shumë të dhëna gjatë kësaj periudhe  dhe  e dimë që ekspertë të tyre kane qenë edhe në terren në Wuhan pas shpërthimit të virusit, kjo është një gjë shumë e vyer dhe nuk mund të pengohet vetëm për shkak të burokracive diplomatike. SHBA , por dhe shumë shtete janë shumë pro zgjatjes së ftesës ndaj Taivanit”, tha një nga zyrtarët e Departamentit të Shtetit.

“Tajvani ka dy vaksina kandidate, që vjen në një kohë dhe me thirrjen e kreut të OBSH që vendet e varfra duhen ndihmuar me  vaksina, pra pse mos të gjejmë një zgjidhje se si mund të bashkëpunohet. OBSH ka një rol të rëndësishëm në adresimin e pandemive dhe Tajvani ka shumë kontribute.

Sa për problemet politike , duhet të kujtojmë se nuk kishte të tilla deri në momentin e zgjedhjeve në Tajvan të cilat ishin të lira dhe demokratike,”tha zyrtari më tej.

Në përfundim të bisedimit, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, zyrtarët theksuan se në ndërkohë SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim për hetimin e origjinës së covid-19.

Përgatiti Merita Hoxha

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA