Popullsia e Shqipërisë po tkurret, ky tashmë është bërë një debat edhe politik. Po plakemi dhe po lindim më pak fëmijë.
Sipas INSTAT, numri i lindjeve në vendin tonë ka pësuar një rënie graduale, ku në vitin 1990 kishim 82.125 lindje dhe në vitin 2020 ishin 28.075 lindje, pra lindshmëria ka rënë me 66% ose kemi një rënie të lindjeve me 2/3.
Gjithashtu, sipas të dhënave të fundit, të publikuara nga INSTAT popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2021 ka pësuar një rënie me 0,6 %, krahasuar me 1 Janar 2020.
Gjatë vitit 2020, shtesa natyrore e popullsisë ishte 470 banorë (lindje-vdekje), duke pësuar një rënie prej 92,9 %, krahasuar me një vit më parë.
Në një raport të detajuar, “Shoqata Together for Life”, me mbështetjen e “Westminster Foundation for Democracy”, ka dalë në disa rekomandime urgjente se si duhet të frenohet kjo plagë shumë e rëndë për të ardhmen e vendit.
E ftuar në “Wake Up”, Arlinda Shehu, “Together for Life” theksoi se rënia e lindjeve në këto shifra është e frikshme.
“Ligji për shëndetin riprodhues i jep të drejtën qytetarëve shqiptarë për riprodhimin dhe për të trajtuar infertilitetin.
Ne kemi publikuar disa vite më parë, ku një nga mjekët e shprehu si shqetësim faktin që fertiliteti te meshkujt ka rënë rreth 50% krahasuar me vitet ’90.
Çka do të thotë që është e frikshme si shifër në pjesën e asaj çka po ndodh. Por, në totalin e shifrave që jepen aktualisht, thuhet se infertiliteti në çift, që do të thotë që një çift që provon për një vit për të pasur fëmijë dhe nuk kanë, rënia është me 15%.
Ky çift do bëjë analizat, do kuptojë problemin dhe zgjidhja e parë që vjen është fekondimi invitro, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi. Rreth 3 mijë çifte kanë nevojë për fekondimin invitro. 1 mijë e kryejnë dhe 2 të tjera jo, sepse kjo kushton”, tha ajo.
Top Channel