BE i kërkon Rusisë të shfuqizojë Ligjin për agjentët e huaj

17/05/2021 17:17

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Rusisë që të shfuqizojë Ligjin e saj të diskutueshëm për “agjentët e huaj”, i cili ka në shënjestër mediat.

Javën e kaluar, përmbaruesit gjyqësorë në Moskë kanë nisur të konfiskojnë prona nga zyra në Moskë e REL-it, si dhe kanë ngrirë llogaritë bankare të radios, për shkak të, siç është thënë, gjobave të papaguara për shkeljen e Ligjit të agjentëve të huaj.

Ditë më parë, rregullatori rus i mediave ka thënë se ka shtuar VTimes – një faqe në internet e lajmeve, e themeluar nga ish-personeli i gazetës Vedomosti – në listën e agjentëve huaj.

Rregullatori, më herët, ka futur në këtë listë edhe një ueb-faqe tjetër lajmesh, Meduza.

“BE-ja vazhdimisht u ka kërkuar autoriteteve ruse që ta shfuqizojnë këtë legjislacion dhe t’i respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare ndaj lirisë së asociimit, mbledhjes dhe shprehjes”, tha Peter Spano, zëdhënës i shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Spano tha se veprimet kundër Radios Evropa e Lirë në Moskë kanë “qëllim të qartë” për të penguar operacionet e saj.

Ligji për “agjentët e huaj” në Rusi është miratuar në vitin 2012 dhe është modifikuar vazhdimisht.

Ai kërkon nga organizatat joqeveritare që marrin ndihmë të huaj dhe për të cilat Qeveria ruse mendon se janë të angazhuara në veprimtari politike, të regjistrohen, ta identifikojnë veten si “agjente të huaja” dhe t’u nënshtrohen auditimeve.

Modifikimet e mëvonshme të ligjit kanë përfshirë edhe mediat e financuara nga jashtë.

REL është një kompani mediatike editorialisht e pavarur, e financuar nga një grant i Kongresit amerikan, përmes Agjencisë Amerikane për Media Globale.

REL e ka refuzuar emërtimin si “agjente e huaj” dhe nuk ka pranuar të veprojë në përputhje me kërkesat e rregullatorit rus të mediave, Roskomnadzor, që çdo material i botuar, të etiketohet si prodhim i një “agjenti të huaj”.

Për rrjedhojë, gjobat e shqiptuara nga autoritetet ruse kundër REL-it në Rusi kanë arritur vlerën e rreth 70 milionë rublave (950,000 dollarë)./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA