Me pranga ne duar, i shoqëruar nga forca policore është sjelle nga Brukseli, në aeroportin e Athinës, eurodeputeti dhe ish-anëtari i “Agimit të Artë”, Giannis Lagos të cilit PE i kishte hequr imunitetin para tre javësh dhe pasi është vendosur në arrest shtëpiak, është ekstraduar në Greqi sipas urdhër-arrestit të gjykatës greke.
Lagos është dënuar me 13 vjet e 8 muaj burg për “udhëheqjen e një organizate kriminale” gjatë gjyqit të partisë neonaziste “Agimi i Artë” bashkë me liderët më të lartë të saj, në gjyqin më të rëndësishëm në historinë e Greqisë së pasluftës, por i është shmangur për 7 muaj e gjsymë burgosjes, duke përfituar nga statusi i eurodeputetit.
Ai është çuar në burgun e Domokosë, ku vuajnë dënimet edhe liderët e tjerë te Agimit të Arteë si Nikos Mihaloliakos , Ilias Kasidhiaris, Panagitois Germnis etj.
Sipas dosjes penale, Janis Lagos, ishte njeriu të cilit udhëheqësi i partisë neonaziste, Nikos Michaloliakos i kishte caktuar përgjegjësinë e grupeve të dhunshme të goditjeve. Ishte ai, që sipas dëshmive, i ka dhënë urdhër liderit të grupit të Pireut të aktivizonte njerëzit e tij për të sulmuar këngëtarin antifashist, Pavlos Fyssas natën fatale të 18 shtatorit 2013, kur ai mbeti i vrarë nga neonazisti, Giorgos Rupakias.
Gjithashtu, Lagos ka qenë mbikqyrësi dhe urdhëruesi i disa sulmeve të dhunshme madje dhe tentativave për vrasje, midis tyre edhe ai ndaj disa peshkatarëve emigrantë nga Egjipti si dhe te sindikalistëve të Partisë komuniste greke në vitet 2012-2013.
Siç ka theksuar zëdhënësja e qeverisë greke pas burgimit të tij, Greqia luftoi dhe dëboi helmin toksik të Agimit të Artë, ndërsa reagime ka pasur edhe nga forcat e tjera politike.
Ndërkohë, mbetet ende i pa arrestuar një prej udhëheqësve kryesorë të Agimit të Artë, Kristos Papas, që është zhdukur menjëherë pas gjyqit dhe është shpallur në kërkim, per t’u mbyllur edhe cikli i partisë neonaziste, që pas krizës ekonomike në 2010, per disa vite u bë forca e tretë politike në vend, si dhe pjess e parlamentit.
Top Channel