Në galerinë e arteve pamore ”Nikolet Vasia” të Durrësit u çel ekspozita “Rrugicat e jetuara” me 103 punime të piktores Emjona Stasi. Të pasuruara me elementë artistikë dhe qasjen e autores, rrugicat përcillen të ngrohta, plot ngjyra dhe jetë, te artdashësit në këtë fillim të sezonit turistik. Tablotë prezantojnë identitetin antik dhe urban të qytetit bregdetar përmes rrugicave që shpesh i fshihen syrit të vizitorëve nën hijen e godinave shumëkatëshe.
”Është ajo pjesa e vjetër e qytetit që ka mbetur e fragmentarizuar dhe e ndjej si domosdoshmëri ta jap. Zhvillimet që po bëhen po e humbasin identitetin e qytetit dhe kjo më shqetëson dhe gjej kënaqësi kur kaloj në rrugicat e vogla dhe ngacmohem nga to.”
Piktorja sjell rrugicat e Durrësit ku gjallojnë histori njerëzore, mure e dyer të vjetra që ruajnë gjurmët e kohës mbi to, porta e Kalasë, muret mesjetare dhe gjithçka tjetër që po lihet në harresë nga zhvillimet e shpejta urbane. Punimet janë piktura në vaj, pastel, akrilik dhe grafika dhe ekspozita vjen e kuruar mjeshtërisht nga Oltsen Gripshi.
”Emjona është njohëse shumë e mirë e ngjyrës dhe ka shumë elegancë në përdorimin e saj. E kam ndjekur po këtu shoh një risi pasi vjen me kurator që e ka ndjekur një vit para dhe vjen më e plotësuar. Autori vjen me atë që e quan shpërthim i shpirtit të tij dhe kuratori e mbledh dhe gjithçka vjen me një strukturë të kuruar, më e organizuar.”
Top Channel