Punët publike nuk janë ndërprerë për asnjë çast në Bashkinë e Elbasanit, pasi shërbimi ndaj qytetarit është detyra parësore.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja inspektuan vijimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës ‘Shën Thanasi’, në Elbasan. Investimi për rikonstruksionin e kësaj rruge i vjen në ndihmë qindra banorëve të një zone informale, e cila prej vitesh vuan mungesën e infrastrukturës.
Balla kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për lirimin e hapësirave publike, për të bërë të mundur vijimin normal të investimeve.
“Ne do të vazhdojmë punën me intensitet për të garantuar urbanizimin e plotë të çdo lagje të qytetit të Elbasanit. Edhe projekti i madh për urbanizimin dhe sistemimin e shesheve të pallateve është një prej atyre projekteve që bashkë me bashkinë dhe qeverinë po punojmë intensivisht për ta implementuar.
Por kemi nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve që investimet publike të mos pengohen nga investime private të paligjshme.
Në disa zona investimet kanë hasur pengesa pikërisht prej zënies së hapësirave publike, por duhet të zbatojmë ligjin dhe t’ua kthejmë hapësirat publike qytetarëve.
Kjo rrugë ku jemi sot ishte e pakalueshme sa herë kishte reshje shiu, ndërsa sot po shndërrohet në një rrugë model. Qytetarët e kuptojnë se ne jemi zgjedhur për të punuar e kohë për pushim nuk kemi”, deklaroi Balla.
Rruga ‘Shën Thanasi’ dhe rruga ‘Shazivar Bej Karaosmani’ ndikojnë në përmirësimin e lëvizjes në zonën informale në verilindje të Elbasanit. Kjo zonë është duke përfituar gjithashtu edhe nga investimi në rrjetin e ujit të pijshëm duke u kthyer tashmë në një lagje të denjë qyteti.
Top Channel