Për të tretin sezon radhazi Atalanta siguron një biletë për Ligën e Kampionëve, këtë herë një javë para fundit të kampionatit, pasi triumfoi me rezultatin 3-4 në transfertën ndaj Genoas në “Marassi” dhe u ngjit në kuotën e 78 pikëve.
Zikaltrit dominuan totalisht pjesën e parë, duke shënuar tre herë me Zapatën, Malinovskiyn dhe Gosens, ndërsa pjesa e dytë u bë edhe më spektakolare, pasi Genoa shënoi tre herë me dopietën e Shomurodov dhe goli ne Pandev, ndërsa për miqtë nga Bergamo ishte Pasalic që vulosi fitoren.
Për shkak të bilancit më të mirë në ndeshje direkte me Juventusin, Atalanta siguron kështu matematikisht një vend në zonën Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa bardhezinjtë, Milani dhe Napoli do të garojnë ende për dy vende të mbetura deri në fund të sezonit.
Spezia ka siguruar matematikisht mbijetesën në elitën e futbollit italian, pasi ka triumfuar me rezultatin e thellë 4-1 ndaj një rivali direkt si Torino dhe tani e sheh veten 7 pikë larg Beneventos, e cila ka vetëm dy ndeshje për të luajtur deri në fund të sezonit.
Saponara, dy herë Nzola dhe Erlic ishin autorët e golave për skuadrën ligure, teksa nga minuta e parë në formacion ishte edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli.
Nga ana tjetër Torino shënoi golin e vetëm me anë të kapitenit Andrea Belotti dhe ndonëse është 4 pikë larg zonës së rënies, matematikisht nuk e ka siguruar ende mbijetesën dhe duhet të luftojë fort në dy javët e mbetura./SuperSport/
Top Channel