Grupi i Hackerave Anonymous paralajmëron: Tjetër kriptovalutë në treg. Ja për çfarë do të shërbejë

14/05/2021 15:09

Grupi ndërkombëtar i hakerëve “Anonymous” ka premtuar se do të dalë në treg një kriptomonedhë të re që quhet Anongate.

Grupi ka theksuar se Anongate do të jetë portë hyrëse në botën e nëndheshme dhe do të shërbejë për shkëmbimin e informacionit dhe për ndarjen e njoftimeve për lajme virale duke i dhënë rëndësi të madhe informacionit. Çdo person që do të bëhet pjesë e organizatës, do të shpërblehet për prezencën në rrjet, sqaron grupi ndërkombëtar i hakerëve.

“Anongate është porta hyrëse në botën e nëndheshme. Ne po ndërtojmë një rrjet të thellë në internet që do t’i kushtojë një vlerë njohurive dhe informacionit. Kjo do të jetë një Organizatë Autonome e Decentralizuar (DAO) për “anonët” në të gjithë botën për të shkëmbyer informacion, ku njerëzit do të shpërblehen për ndarjen e njoftimeve për lajmet virale. Të abonuarit e zakonshëm në DAO do të shpërblehen për prezencën në rrjet”, shkruhet në një koment të publikuar nga grupi Anonymous në faqen zyrtare të Facebook.

Çfarë është grupi Anonymous?
Anonymous është një lëvizje e organizuar ndërkombëtare e aktivistëve që përmes internetit ndajnë idealet e njëjta sociale dhe politike. Anonymous promovon qasjen në informacion, lirinë e shprehjes dhe transparencën si dhe mbështet lëvizjet e ndryshme kundër korrupsionit dhe lëvizjet anti-autoritative.

Si vepron grupi?

Grupi në përgjithësi perceptohet si anarkik, pa ndonjë udhëheqje të kontrolluar. Parimisht, grupi vetorganizohet kështu: anëtarët i marrin vendimet dhe shkëmbejnë idetë e tyre dhe aktivitetet e njëri-tjetrit përmes mediave sociale. Po që se, këto ide dhe aktivitete marrin mbështetje të mjaftueshme nga komuniteti, bëhet një marrëveshje kolektive, caktohen datat dhe koha e “takimeve” virtuale dhe pjesëmarrësit vazhdojnë me lancimin e fushatës për të arritur qëllimet e parapara.

Anëtarë të Anonymous thonë se është e lehtë që t’i bashkohesh grupit. Duhet vetëm të fshihet identiteti derisa kryhen aktivitetet online dhe tashmë je futur brenda. Për shkak të natyrës komplekse e joformale, është e pamundur të dihet për demografinë e saktë të anëtarësisë së grupit.

Për çfarë aktivitetesh është i njohur Anonymous?

Grupi lidhet me atë që njihet si hakerizëm, aktivitete në internet që ndërmerren si shenjë hakmarrje ose si protestë ndaj agjencive qeveritare, subjekteve komerciale dhe institucioneve tjera. Sulmet e tilla vijnë në formën e refuzimit të shërbimit (DoS) apo sulmeve që shpërndahen për të penguar shërbimet (DDoS), me të cilat bllokohen ueb faqet apo edhe shërbimet përmes internetit.

Hakerët që janë të lidhur me këtë grup, kanë marrë përsipër sulmet duke u nisur nga ato të voglat kundër korporatave të ndryshme e deri te mbyllja e ueb faqes së Agjencisë Amerikane të Inteligjencës, CIA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA