Monedha europiane i është rikthyer sërish rritjes këtë të premte.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë euro këmbehet aktualisht për 122.9 lekë, në rritje me 0.03 lekë në raport me ditën e mërkurë, kur preku nivelin më të për këtë vit të mërkurën duke zbritur në 122.8 lekë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, këmbehej për 123.4 lekë.
Eksperti për çështjet financiare Artan Gjergji shpjegon se zhvlerësimi i euros lidhet me faktorët sezonalë edhe pse sezoni turistik nuk ka nisur ende, me masat bllokuese për shkak të pandemisë si dhe paratë informale që qarkullojnë në ekonomi.
“Në vitet e kaluara ndodhte e kundërta, pra kishim një vlerësim të monedhës europiane në prill-maj si rrjedhojë e kapitalizimit që bëjnë bizneset. Pra, bizneset me capital të huaj kthejnë fitimet, pra i riatdhesojnë e për rrjedhojë u duhet të blejnë valutë. Kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por kemi dhe një zhvlerësim të lehtë. Ka të bëjë me flukse hyrëse të valutës që vijnë kryesisht për shkak të turizmit, turistët nga Kosova kryesisht. Por, edhe pengesat për të dalë jashtë ka ulur kërkesën për blerje të euros nga shqiptarët. Remitancat kanë parë një rritje të lehtë të remitancave, pasi emigrantët kanë filluar të punojnë pasi janë lehtësuar masat si dhe paraja informale që ka qenë, është dhe për pak kohë do vazhdojë të jetë aty.” Artan Gjegji, ekspert për tregjet financiare.
Sipas ekspertit Gjergji, monedha europiane do të vazhdojë të qëndrojë poshtë nivelit të 123 lekëve, të paktën për një periudhë kohore deri në mbyllje të sezonit turistik.
“Nëse marrim të mirëqenë që turizmi pritës të ketë një boom që të gjitha gjasat janë që po, gjykoj që sasia e valutës në qarkullim do rritet. Pritshmëritë janë që përsëri edhe fluksi i shqiptarëve që do rrisin kërkesën për valutës nuk do jetë kaq i madh, kështu që sasia e lartë e valutës në qarkullim pritet ta mbajë nivelin e euros të nënçmuar dhe gjykoj poshtë 123 deri nga muaji shtator.” Artan Gjegji, ekspert për tregjet financiare
Niveli më i lartë i monedhës europiane në tregun e këmbimit valutor vendas u shënua në fund të marsit, që preku kuotën e 131 lekëve, ndërsa prej asaj kohe ka parë zhvlerësim të vazhdueshëm ndaj monedhës kombëtare.
Top Channel