“Cili demokrat nuk u lodh deri në rraskapitje?”/ Kadilli nis fushatën për të ‘rrëzuar’ Bashën: Të ofrojmë një opozitë të re!

12/05/2021 14:48

Fatbardh Kadilli, i cili ka shpallur publikisht kandidimin e tij për kryetar të PD i është drejtuar me një videomesazh të gjithë demokratëve.

Postimi i tij duket si nisje e fushatës brenda partisë pasi përsërit akuzën ndaj kryedemokratit se është fajtor për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit.

Kadilli ngre pyetje se kush është lodhur deri në rraskapitje me vonesat dhe paqartësitë e lidershpit. Pas thotë se shqetësimet që i ngritën liderit ranë në vesh të shurdhër, thekson se është koha për të qenë demokratë dhe për të ofruar një qasje të re e projekt politik për PD.

Kadilli duket se i fton të gjithë që t’i  bashkohen për të krijuar një opozitë të re.

Postimi i plotë

Demokratë dhe mbështetës të PD, më e keqja ndodhi. Një kundërshtar diabolik u rikonfirmua në qeveri. Ne demokratët e shohim veten përsëri në opozitë. Hymë në këto zgjedhje me shpresë, por bashkë me shpresën nxirrte kokë dhe dyshimi se nuk ishte bërë sa duhet.

Cili demokrat nuk u shqetësua deri në lodhje nga vonesat e lidershipit, nga mungesa e ekipeve politike në terren?

Cili demokrat nuk u lodh deri në rraskapitje nga paqartësitë e lidershipit?

Nga mungesa e informacionit për çdo vendim të rëndësishëm?

Cili demokrat nuk u rraskapit deri në stërmundim pse nuk u mobilizuan gjithë energjitë, gjithë faktorët dhe gjithë individët që mund të sillnin ndryshimin?

Të gjitha dyshimet tona, që i ngritëm me ndershmëri mes nesh, nga anëtari më i thjeshtë, te drejtuesit e degëve e deri në qendër, janë sot pasqyra ku shohim fytyrën e humbjes.

Të gjitha mëdyshjet dhe shqetësimet që i ngritëm liderit, me besnikëri, që të na dëgjohej zëri, ranë në një vesh shurdhër. Ato janë sot, kjo e sotme pa të ardhme të qartë.

Kundërshtari është ai që është: një dhe i pandryshueshëm. Por, nuk është koha për t’u fshehur pas diabolizmave, hileve dhe arrogancës së tij. Ai ashtu është dhe ashtu do të jetë përsëri. Edhe në përballjen e radhës edhe në zgjedhjet e tjera, ndryshimin e kundërshtarit e bëjmë duke ndryshuar së pari vetë. Duke bërë pyetjen: a duhet të ndryshojmë diçka apo të vazhdojmë kështu se jemi mirë?

Është koha të jemi të vërtetë me veten si demokratë.

Të ofrojmë një qasje të re.

Një projekt të ri politik për Partinë Demokratike.

Një opozitë të re.

Për të gjithë. Me të gjithë. Gjithkund dhe gjithherë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA