Në makinën e Bledar Birçës, që u ekzekutua nga tre atentatorë, dje në Vlorë, ndodheshin dhe dy persona të tjerë, që i shpëtuan mrekullisht breshërisë së plumbave.
Eksperti, Elton Qyno tregon në “Open”, faktet që vërtetojnë se ky atentat ishte i menduar në çdo detaj: “Makina e parë duket sikur ndalon pak dhe më pas lëviz. Sapo makina e parë është shfaqur në kryqëzim, ata kanë dalë në mënyrë precize. Aty ka një valëzim në rrugë, polic i shtrirë, dhe atentatorët ishin të sigurt që ai do të ulte shpejtësinë. Viktimën e kanë kapur 2 plumba nga rreth 20 që janë qëlluar. Autori ka lënë automatikun në tokë, bëhet gati të nxjerrë pistoletën dhe më pas tërhiqet prapë”.
Në vendin e parë të pasagjerit, ndodhej një efektiv policie, i cili doli me shpejtësi nga makina, duke i shpëtuar plumbave. Sipas Qynos, lloji i makinës e ka ndihmuar. “Makina BMW, ngaqë ka koskotën e lartë, e ka ndihmuar pasagjerin të ulet dhe kështu të mos e kapë asnjë plumb. Pasi ka dalë nga makina, ai është përpjekur të nxjerrë pistoletën, por e ka pasur të pamundur përballë 2 automatikëve”, shpjegon eksperti.
Ai shton se misteri i këtij ekzekutimi mafioz, është zhdukja e të gjitha provave. “Çuditërisht, ajo që e bën më mister, është që nuk kemi as makinën e djegur, ku ka qarkulluar kjo makinë. Janë kontrolluar mbi 30 servise, varreza makinash, nuk ka as informacione se ku mund të jetë hedhur apo djegur makina, me të cilën udhëtonin atentatorët”, thekson Qyno.
Top Channel